Agim Kasapolli
Kur forca, guximi dhe mjeshtëria bëhen bashkë, fitorja në boks është e sigurt. Kështu ndodhi në meçin midis Haxhi Robin Krasniqit kundër Jyrgen Doberstein. Pas 12 rundeve me vendimin e gjyqtarëve 2:1 fitore shënoi Krasniqi në kategorinë super të madhe, fitoi titullin në dy versione “WBO&WBA Inter-Continental”. Kjo fitore i hap rrugë Krasniqit për synimin e tij në luftë për titull të kampionit botëror. Si kurrë deri më tash Krasniqi që nga rundi i parë zbatoi luftë të mençur dhe të guximshme, duke arritur që kundërshtarit t’ia imponojë mënyrën e luftës çfarë ai e diktoi, e kjo ishte lufta nga gjysmëdistanca me gard të ndërtuar dhe me ofensivë të pandërprerë karshi kundërshtarit. Për ta arritur këtë aleat e pati durimin, qetësinë dhe gjurmimin e pikës së dobët të kundërshtarit. Në tri rundet e para lufta ishte e barabartë me një përparësi të lehtë në dobi të Krasniqit, ndërsa prepotenca e kundërshtarit të tij doberstejn vetëm sa i ndihmonte Krasniqit që sa më parë ta gjejë rrugën për ta dëshmuar aftësinë e boksierit me disiplinë dhe përgatitje fizike, e cila prej rundit të pestë e tutje dëshmoi se Krasniqi në këtë meç ishte shqiptari, i cili veproi si gjerman!
Pse shqiptar që veproi si gjerman?
Sepse qëllimi i kundërshtarit të tij ishte që ta dekoncentrojë Krasniqin me provokime, të cilat janë edhe të lejuara në boksin profesionist, kjo taktikë e dobrestejnit nuk pati sukses sepse Haxhiu me përpikëri i zbatoi urdhrat e shtabit të vetë dhe pas rundit të pestë ia doli ta gjejë gjysmëdistancën karshi kundërshtarit dhe pastaj me lehtësi filloi ta godasë kundërshtarin me aperkat goditje që ia mundësoi pastaj me lehtësi edhe më të madhe ta përdorë kroshen. Të gjitha këto veprime, duke mos harruar goditjet direkte që i aplikoi që nga fillimi, bëri që kundërshtari i tij i cili konsiderohej favorit në këtë takim ta humbë durimin dhe kontrollin në ring dhe vërehej se nuk do t’i qëndrojë veprimeve të shpejta me eskivime të përkryera të Haxhiut, ndërsa kundërshtari i tij në sajë të mungesës së forcës që nga rundi i shtatë boksoi pa koncept, ndërsa për dallim prej tij Krasniqi si kurrë deri më tash dëshmoi përgatitje të lartë fizike dhe me mjeshtri dhe mençuri e balancoi forcën në mënyrë të barabartë për 12 runde. Kjo më se miri u pasqyrua në rundin e 11-të kur Haxhiu e demoloi kundërshtarin me goditje të njëpasnjëshme dhe vetëm pak i është dashur që ta dërgojë në botën e ëndrrave. Se boksi kërkon zbatim të disiplinës u pa në rundin e fundit në atë të12-të, kur dobresen i vetëdijshëm që këtë duel e ka humbur kërkonte edhe pse në tërësi i dërrmuar që tani me një goditje t’i qërojë hesapet me Krasniqin, këtë nuk ia mundësoi Krasniqi, i cili jam i bindur sikur ta kishte pranuar këtë aventurë ndoshta edhe do ta nokautonte, por veproi si mjeshtër i vërtetë i ringut, i është shmangur rrahjes dhe shënoi fitore bindëse në sajë të strategjisë, pikëve të fituara gjatë 12 rundave dhe zbatimit të taktikës së ndërtuar nga shtabi i tij profesional. Kjo është garanci që me të drejtë presim që shumë shpejt ta shohim Krasniqin në meçin jetikë në luftë për titull të kampionit të botës.















