Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi avaz të vjetër atë që PD e quan propozim të ri lidhur me reformën në drejtësi.
Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, Basha akuzon Ramën se pasi heshti për ditë me radhë lidhur me akuzën e krimit federal të pagesës së 80 mijë dollarëve për një foto me presidentin Obama dhe pas sulmit me armë në aeroportin e Rinasit, tashmë kërkon të nxjerrë alibinë e rastit lidhur me reformën në drejtësi.
Sipas Bashës, propozimi i PD është në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias, ku partitë politike as nuk propozojnë dhe as verifikojnë.
“Pas 6 ditë heshtjeje për krimin federal të pagesës së 80 mijë dollarëve ilegalë për një foto, nuk bëri zë edhe pse mediat më të mëdha të botës shkruan për skandalin, një jave pas sulmit me armë e maska në pistën e Rinasit ku u grabitën miliona euro, serish nuk pipëtiu, por më në fund Edi Ramës iu zgjidh gjuha, u kujtua t’u rikthehet cicërimave te tij. Deri tani ishte kundërshtues i vendeve të rezervuara të propozuara nga SHBA dhe BE por sot nuk ka më asnjë alibi.
Propozimi ynë nuk jep as më shumë e as më pak sesa çfarë parashikon Komisioni i Venecias: partitë politike as nuk propozojnë dhe as verifikojnë. Po ti do patjetër një gozhdë ku të varësh refuzimin e radhës. Tani që nuk e ke më as këtë, lëri alibitë dhe nëse do me te vërtetë reformë të pakapur në drejtësi prano kompromisin qe i hap rruge miratimit të reformës në drejtësi”, shkruan Basha.























