Në një shkrim të saj në Dritare.al, Rudina Xhunga ka rrëfyer historinë e një njeriu pak të njohur në Tiranë, por i cili u shndërrua befas në « star » pasi ish-lideri i opozitës Edi Rama e bëri personazh te librit të tij. Fjala është për Dhimo Koten të cilin Rama e quante dikur si një pjesëzë të Shqipërisë europiane që ai ëndëronte kur qe në opozitë.
« Dhimo Kote erdhi nga Greqia, kur të gjithë ikën. Mursia është një fshat minoritar dhe të gjithë e lanë e ikën në vendin e origjinës, por Dhimoja u kthye, se besonte te toka ku u rrit.
Aty ia nisi me shalqi dhe gjithë fshati pas tij, derisa mendoi se shalqi mbjellin të gjithë, ai duhej të mbillte atë për të cilën toka e fshatit të tij ishte bërë, agrumen. Dhe mbolli Klementinën.
Kur dolën mandarinat e para dhe nisi të kërkojë e gjejë tregje, fjala mori dhenë dhe bashkëfshatarët e lanë Greqinë, njëri pas tjetrit. Nisën të gjithë me mandarinën, secili në tokën e vet, derisa u organizuan në kooperativa e nisën të mendojnë për pikën e grumbullimit.
Tani jo vetëm janë kthyer të gjithë nga Greqia, por vijnë çdo vit e më shumë nga zonat përreth, për të punuar. Do nisin të vijnë edhe nga Greqia, me siguri, siç po shkojnë punët në fshat. Tani rroga e çdo punëtori është 1500 lekë të rinj në ditë, por Dhimo është i sigurt se do të shkojë 1 milion në muaj, shumë shpejt, pasi toka të lira ka ende dhe kërkohet më shumë prodhim prej tyre. Dhimo tani nuk lë panair pa shkuar. Para përcaktimit të çdo sasie mbjelljeje ka parasysh çfarë tregu e pret” tregon Rudina Xhunga.
Këtë histori tregonte edhe Rama në librin e tij (shih faksimilen poshte ku Dhimo kotes i kushtohen faqet 412-414) por shtonte se si pas këti suksesi fshatarët e zonës e katapultuan ‘heroin’ e tyre si kryetar komune.
Por sot ky personazh, e ka humbur vendin në pushtetin lokal si pasojë e një marëveshjeje të Ramës me Shpëtim Idrizin. Ai ka humbur gjithashtu edhe vendin në asamblene e socialistëve pas kongresit të fundit.
Dhe Rudina Xhunga vazhdon tregimin e historisë: “Kur e pyes pse nuk u zgjodh serish, më thotë se tani ndarja e re territoriale e ka përfshirë Zarrën në Konispol. Por të tjerë më thonë ndryshe. Më thonë se Dhimo ishte personazhi i preferuar i Ramës kur ishte kryetar i opozitës, pasi erdhi në pushtet thjesht i duhej një personazh i ri. Dhe zgjodhi Shpëtim Idrizin, i cili kërkonte Bashkinë e Konispolit, që sigurisht nuk e mori dot.
Në fakt, çamët prej tij kërkojnë t’i çojë te shtëpitë e të parëve, jo të zërë toka minoritarësh, por si punët e Shpëtimit dhe atyre që bëjnë sikur e besojnë”.
Kjo është historia e Kotes që tregon Xhunga. Dhe nuk është ajo e të vetmit njeri të zhgënjyer nga Rama.
















