35-vjecari shqiptar Agim.S, i cili u arrestua të dielën e shkuar nga policia italiane me akuzën e rrëmbimit, plagosjes dhe përndjekjes ndaj ish të partneres së tij me origjinë tuniziane, është lënë në burg.
Vendimin e dha gjykatësi italian Francesco Meloni, që mëngjesin e sotëm mori në pyetje Agim.S.
Sipas aktakuzës, shqiptari ka goditur me grusht në fytyrë ish të dashurën, duke i shkaktuar frakturë në hundë, dhe më pas, duke parë që ajo po tentonte të kërkonte ndihmë duke përdorur celularin, ia rrëmeu nga dora nën kërcënimin e një thike.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Riçi” në Savona dhe ishte një person, i cili ndodhej në zonë, lajmëroi policinë. Pas marrjes në pyetje të viktimës, policia u vu në gjurmën e shqiptarit dhe e arrestoi.
Këtë mëngjes, shqiptari ka treguar versionin e tij të ngjarjes, të ndryshëm nga ai i tunizianes, shkruajnë mediat italiane, por nuk ka bindur gjykatësin Meloni, i cili ka vendosur masën e arrestit me burg ndaj 35-vjeçarit.















