Në Psikologji, motivimi njihet si nocioni që ngërthen shtytjet, nxitjet apo cytjet e aktiviteteve intelektuale, emocionale, sociale, motorike e të tjera.
Ndërkaq , në mësimdhënie, komponentet kryesore të motivimit, në metodologji, konsiderohen; ai i brendshëm, i jashtëm dhe shpresa për sukses.
Sot unë po lexoj gjendje të dëshpëruara nga shumë mësimdhënës për testin e arritshmërisë së gjysmëmaturantëve, se gjoja nxënësit ‘e dobët’, paskan kaluar këtë test hipokrit me sukses më të lartë se sa nxënësit e dëshmuar gjatë viteve tjera të nxëniesn ne procesin mësimor.
Etiketimi i një nxënësi, i cili po kalon prej një faze në një tjetër fazë, edhe më përcaktuese për të ardhmen e tij, luan rol të rëndësishëm, në vecanti kur etiketimi është negativ, sikur në rastin në fjalë ‘nxënësit e dobët’. Kjo formë e klasifikimit të nxënësve në ‘të fortë’, dhe ‘të dobët’, është përpjekje përjashtuese, e deri diku edhe raciste. Cdo përpjekje të mëvonshme për të qenë ‘i fortë’, e zbeh dhe i jep fare pak mundësi përmirësimit.
Etiketimi ‘nxënës i dobët’, është formë dhune psikologjike, me pasoja shumë të dëmshme, të renda dhe të pariparueshme. Neglizhimi i një dhune të tillë, të shfaqur hapur nëpër rrjetet sociale, nga punëtorët social, psikologët, sociologët etj, nuk është i falshëm, dhe secilin prej tyre që mban një licencë të tillë e bënë bashkëfajtor të një ‘krimi arsimor’ . T’i drejtohesh një shumice nxënësish ‘Ju jeni të dobët’, tregon një sistem arsimor hitlerian, ku i dobëti mbetet përherë i dobët, s’mund të përmirësohet, dhe për të ka vetëm ndëshkim, lincim publik, ku ky fundit përbën edhe një prej metodave më të rrezikshme për me lëndu, poshtëru edhe dhunu një nxënës.
Ndaj kujt po bëhet kjo ? Ndaj 14- 15 vjecarëve.
“Ti je një nxënës i dobët” është një sharje që mësimdhënësit i drejtojnë nxënësve të tyre, duke na treguar se këta mësimdhënës kanë dështuar në krijimin e marrëdhënieve të shëndosha dhe të besueshme me nxënësit e tyre. Do të thotë, gjërat mes tyre s’kanë shkuar mirë asnjëherë, dhe këtu shfaqet një fakt i pamohueshëm, se pikërisht ky mësimdhënës mund të jetë një prej faktorëve kryesor pse ka ‘nxënës të dobët’. Si rezultat i këtij etiketimi, ‘nxënësit të dobët’, i dëmtohet rëndë vetëvlerësimi, nuk ka më vetëbesim, izolohet, dhe s’ka më as iniciativa. Ka raste edhe kur e ‘lincon’ veten prej mundësive për të marrë edhe pak më tepër arsimim se shkolla fillore, e deri tek devijimi komplet I sjelljes prosociale.
Nëse kthehemi pak në retrospektivë, dhe kujtojmë shkollën tonë fillore, mundemi me gjetë ndër kujtime se kemi pasë disa lloje të mësuesve: ata që na kanë penguar të mendojmë si individ; ata që na kanë turpëruar para shokëve të klasës; ata që na kanë etiketuar dhe kanë paragjykuar për të ardhmen tonë; ata që kanë aplikuar rregulla strikte pa i marrë parasysh potencialet, nevojat dhe ndjenjat tona. Apo, në anën tjetër, kemi pasur ata që na kanë inspiruar dhe na kanë zgjuar kureshtjen për të qenë kreativë; ata që na kanë stimuluar për të nxënë; ata që kanë marrë në konsideratë idetë tona. Këta të fundit, na kanë munguar shumë…
Këtyre mësuesve, që format e dhunës psikologjike i kanë në majë të gjuhës, dikush duhet tu tregojë, se një ‘nxënës i dobët’, nuk është thjesht i dobët, e nuk është as nje objekt të cilit ata mund t’i vëjnë emërtime dhe ta klasifikojnë nëpër kategori përjashtuese shoqërore. Dikush atyre duhet tu tregojë se ata nuk kanë të drejtë, që një nxënësi t’i drejtojnë jetën drejt një humnere të parikoperueshme.
Ai është një fëmijë, që cdo ditë ndodh dicka në jetën e tij, dhe për ta marrë vesh përse ai është i dobët, këtij mesuesi të keqarsimuar, të painformuar dhe të panjerëzishëm i duhet t’i afrohet; ta pyesë; ta kuptojë e ta pranojë. Këto të trijat elemente, janë qelësi për mos me pasë ‘nxënës të dobët’.
Filloni e merruni me ‘nxënësit e dobët’, e mos i forconi edhe me tepër pasiguritë e tyre se nuk janë të aftë, se janë të dështuar e se janë të dobët. Në sistemin arsimor të Finlandës, kur nxënësi është ‘i dobët’, problemi qëndron jashtë tij, si p.sh. tek mësuesit, kushtet sociale dhe psikologjike, kushtet familjare, kushtet ekonomike etj. Ndërkohë në shoqërine tonë shqiptare, sistemi edukativ vazhdon të mbetet tradicional patriarchal, I cili po kaq ashpër godet edhe fëmijët.
Një fëmijë në nevojë për ndihmë, klasifikohet si I dobët. Kjo është një plagë që njerëz të painformuar i’a shkaktojnë shoqërisë. FAJI është tek ju.
















