Libri “Mujë Buçpapaj – lirik i stërmbushur me pakohshmëri”, është një përmbledhje e seleksionuar e disa prej kritikave të shumta të shkruara kryesisht nga studiues të huaj, profesorë universiteti, poetë të shquar, por edhe akademikë të njohur në nivel botëror, bërë për librin me poezi “Fitorja e Padukshme” e poetit shqiptar Mujë Buçpapaj.
Ky libër i botuar gati dhjetë vjetë më parë në Tiranë, pas prezentimit më 2007 në gjuhën angleze në Texas SHBA, si publikim i “Marinaj Publishing” dhe përkthim të prof. dr. Ukë Bucpapajt, pati një udhëtim të pavarur, duke shënuar një sukses domethënës ndërkombëtar, por edhe një fenomen të panjohur më parë në poezinë shqipe, sidomos gjatë dy dekadave të fundit. Asnjë libër tjetër poetik nga Shqipëria dhe Ballkani nuk ka tërhequr kaq shumë kritikën ndërkombëtare, të pakten qysh prej noblisitëve të njohur grekë e në vijim.
I mblodhën disa prej këtyre kritikave dhe shënimeve që kanë përcjellë botimin e librit në disa gjuhë, jo vetëm për të ndarë me ju të nderuar lexues dhe miq të poezisë shqipe, këtë sukses ndërkombëtar të librit të Mujë Bucpapajt “Fitorja e padukshme,” por edhe për të prezentuar një model të një niveli të lartë të kritikës bashkëkohore.
Kjo mendoj unë është jo vetëm një arritje e autorit, që shquhet për natyren e tij thellësisht modeste, ashtu si cdo poet i madh i kësaj bote, por edhe një zhvillim domethënës për poezinë e re shqipe.
Për këtë libër kanë shkruar në shtypin prestigjioz ndëkombëtar dhe atë shqiptar përsonalitete të shquara të kritikës botërore si: Prof. Dr. Frederic Turner, Prof. Edward Garcia, Prof. Valeri Smith, Prof. Tim Eyers, Profesori i linguistikës, Esteban R. Egea, Dr. Gjekë Marinaj, Dan Reed, Susan Rushing Adamas (SHBA), Prof. Fabijan Lovriç, Dr. Igor SHIPIÇ, Kroaci, Prof. Dr. Vasil TOCINOVSKI (Shkup/Rijekë), Daniel Marian (Rumani), Kostas Valetas e Dino Kubatis (Greqi), etj. Po kështu edhe emra të shuar të letërsisë por edhe të përkthimit e kritikës nga vendi.
Në këtë sukses kanë rolin e tyre përkthyesit e shquar Ukë Buçpapaj, Gjekë Marinaj, Clod Freeman, Iliaz Bobaj, Mustafa Spahiu, Baki Ymeri, Fahri Ali, T.Bilosnic, Qazim Muja etj.
Mujë Buçpapaj lindi në Tropojë, Shqipëri (1962). Është diplomuar në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Universiteti i Tiranës (1986).Në vitet 1991-1992 ka studiuar për skenar të filmit artsitik pranë Kinostudios “Shqipëria e Re“, Tiranë, sot “Albafilmi“ si dhe ka kryer shumë kualifikime të tjera të spektrit të kulturës në vend dhe jashtë tij.
Është një nga themeluesit e pluralizmit politik dhe të shtypit të lirë në Shqipëri (1990) dhe gazetar për shumë vjet në gazetat më të njohura të Tiranës. Buçpapaj është një nga eksponëntët më të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare me suksesin më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë dekadës së fundit, përkatësisht i botuar në disa gjuhë të huaja dhe i nderuar me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare nga Greqia deri në SHBA dhe një nga manaxherët më të spikatur të kulturës në vend.Hartues i politikave kulturore dhe perkthyes.
Është organizator dhe drejtues i shumë konferencave nderkombëtare për problemet e artit, letërsisë dhe të të drejtave të autorit.
Është autor i shumë librave, por edhe i qindra shkrimeve publicistike, kritikave, esseve, studimeve përfshirë edhe ato për problemet rajonale, sigurinë kombëtare si dhe për manaxhimin e artit në kushtet e tregut, politikat kulturore dhe strategjinë kombëtare të kultures.
Njihet si një nga debatuesit më të fortë publikë për problemet e tranzicionit shqiptar, zhvillimeve politike rajonale, si dhe të demokracisë në tërësi. Është themelues i gazetës/revistës “Nacional” dhe drejtor i saj. Jeton, punon dhe krijon në Tiranë, së bashku me gruan dhe dy vajzat.


















