Një skenë si në filma ka qenë ajo e ndodhur përgjatë autostradës “Del Sole” në Itali me protagonistë tre shqiptarë.
Efektivë të policisë rrugore të Frosinone-s ishin duke ndjekur me shpejtësi të çmendur një makinë “Ford Fiesta”, në brendësi të cilës ndodheshin tre shpërndarës droge shqiptarë dhe mbi 200 kg hashash, shkruajnë sot mediat italiane.
Vlera e lëndës narkotike kapte vlerën e mbi 2 milionë eurove.
Gjatë ndjekjes, në një moment u shfaq një makinë tip “Mercedes”, në të cilën ndodheshin bashkëpunëtorë të shqiptarëve, që përpiqeshin të përplasnin makinën e policisë, në mënyrë që “Ford Fiesta” të humbte gjurmët.
Në atë pikë, u shfaq një kamion që drejtohej nga 57-vjeçar italian nga Caserta, Carmine Vincenzo Balivo.
Ky i fundit, për të shmangur përplasjen mes dy mjeteve, bëri një manovër, por përfundoi në një kanal.
Ai, së bashku me tre efektivët e policisë që ndiqnin makinë e shqiptarëve, dy burra dhe një grua, u dërguan në spital, për shkak të frakturave të marra.
Mediat vendase shkruajnë se shoferi i kamionit ndodhet në gjendje të rëndë.
Automjeti me të cilin ushtonin shqiptarët u gjet më pas i braktisur. Në brendësi të tij u gjetën mbi200 kg hashash, i fshehur në bagazh, që ishte i modifuar për transportin e lëndës narkotike.
Tre shqiptarët arritën t’ia mbathnin, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.
“Ford Fiesta” rezultoi i regjistruar në emrin e një italiani të moshuar, i cili u morr në pyetje, por mohoi të ketë ndonjë lidhje me personat e shpallur në kërkim.















