Ish-kryeministri Sali Berisha e ka plotësisht të pastër formularin e tij të vetëdeklarimit në procesin e dekriminalizimit. Ai rezulton të mos ketë dënime me vendim gjyqësor të formës së prerë nga një autoritet shqiptar apo i huaj. Në të njëjtën kohë, ish-kryetari demokrat nuk ka qenë as i ndaluar apo arrestuar, ndonëse në vitin 2000 është shoqëruar për disa orë në drejtorinë e policisë së Tiranës.
Pra ndonëse mbetet ndër politikanët më të akuzuar nga kundërshtarët politikë për një mori ngjarjesh në 20 vitet e fundit, ish-kryeministri ia ka dalë ta mbajë të panjollosur dosjen e tij penale. Për shumë herë ai edhe ka refuzuar t’u përgjigjet thirrjeve për t’u paraqitur në procese gjyqësore apo para prokurorëve gjatë hetimit të ngjarjeve të rënda, nëpër të cilat ka kaluar vendi.
Në vitin 1998, Berisha humbi edhe imunitetin parlamentar, i akuzuar për “grusht shteti”, por gjithçka u la në harresë. Megjithatë, ka një detaj tjetër në deklarimin e Berishës që meriton të hetohet. Sali Berisha ka ndërruar datëlindjen dhe kjo nuk figuron të jetë pasqyruar në deklarimin e tij në seksionin “gjeneralitete të mëparshme”. Ish-kreu demokrat ka deklaruar datën e lindjes më 15 tetor 1944, ndërsa edhe në regjistrimin zyrtar të gjendjes civile të pak viteve më parë ai ka të shënuar si datë të lindjes 1 korrik 1944.
Nuk dihen arsyet e ekzistencës së dy datave të lindjes së Berishës në Tropojë 72 vjet vjet më parë. Megjithatë deklarimi i gjeneraliteteve të mëparshme, ku përfshihet edhe datëlindje, është një detyrim ligjor i përfshirë në formularin e vetëdeklarimit. “Nëse keni ndryshuar zyrtarisht ndonjë nga të dhënat e gjeneralitetit tuaj, apo keni përdorur një gjeneralitete tjetër, qoftë edhe pa e ndryshuar zyrtarisht , listoni secilin prej tyre, duke plotësuar të gjitha të dhënat që janë ndryshuar dhe aq herë sa janë ndryshuar.
Mosdeklarimi i ndonjë gjeneraliteti sipas kësaj pike, që mund të pengojë verifikimin sipas dispozitave të ligjit nr. 138/2015, përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal. Pikërisht ky nen i Kodit Penal flet për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve. “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë”, thuhet në nenin 190 të Kodit Penal.

















