Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar në lidhje me skandalin në Qendrën e Fëmijëve, ku janë përdhunuar disa vajza të mitura.
Ademi thekson se kjo qendër duhet të shkrihet, ndërsa shton se është informuar mbi rastin në fjalë nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Jemi vënë në dijeni nga Avokati i Popullit dhe jemi të interesuar ta çojmë deri në fund këtë çështje. Jam e mendimit që kjo qendër duhet të shkrihet, pasi nga 34 fëmijë, vetëm 5 janë nga Shkodra. Ndaj, është përgjegjësi edhe e bashkive të tjera”, tha kryebashkiakja Ademi.
Gjykata dha sot masën “Arrest me burg” për 5 shtetaset e përfshira në skandalin e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër.
Albana Llazani, ish-drejtoreshë e qendrës, Rafaela Camaj, Shpresa Nishani, Najada Rramolli dhe Violeta Marku, punonjëse në këtë qendër, akuzohen për shpërdorim detyre dhe keqtrajtim të miturish.
/E.SH/















