Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot çertifikatat e pronësisë në Bradashesh të Elbasanit përmes shakave dhe ironive me banorët duke i ndarë kokë më kokë si të PD-së, PS-së apo LSI-së. Në një rast iu drejtua njerit prej banorëve të Bradasheshit, që kishte radhën:
“Eja, se në fakt këto çertifikatat ju demokratëve duhet t’ua japë Qazimi. Se ju të PD-së ju njoh që në sy kur vini se thoni me vete “si t’ia bëj, çfarë do të them…”. Më mirë tjua japë Qazimi, se ai është i partisë suaj, – tha me ironi Rama.
Kryebashkiaku Sejdini u ngrit dhe i dorëzoi çertifikatën e tokës, për të cilën banori e falenderoi.
“A ke ndonjë gjë për të thënë? – e pyeti Rama. – Po pse rri me kurriz, ke frikë se të shikojnë të tutë?”
“Jo, s’ka pse, ju falenderoj,” tha banori.
Atëherë Rama ndërhyri sërish: “Po mirë, më thuaj, pse nuk jua dhanë më parë?”
“Atë s’e di”, – qe përgjigja e njeriut të hutuar para dhjetra njerëzve dhe në transmetim direkt.
E Rama i dha drejtim vetë: “E di unë: Sepse ju thoni hë, s’ka gjë që nuk na i dhanë ata, kurse kur vijmë ne, thoni “hë se e kanë për detyrë”. Por kur të shkosh në komision, numëroji mirë ato votat se prapë do të humbni,” i tha Kryeministri duke nënkuptuar se e dinte që ai banor kishte qënë komisioner i PD-së gjatë zgjedhjeve.
















