“Synojmë të mbërrijmë në atë që çdo shërbim për qytetarët të bëhet direkt nga shtëpia thjesht me një linjë internet apo telefoni, çdo dokument që shteti e prodhon”, për të luftuar korrupsionin dhe kursyer kohën e qytetarëve.
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Inovacionit, “Innovation Hub”, ceremoni që ka shënuar çeljen e Javës së Inovacionit 2016. Fjalën e hapjes e mbajti Ministrja e Shtetit Milena Harito.
Rama tha: “Kjo javë e tretë në të tretin vit radhazi është shumë më e pasur dhe sfiduese se java e parë kur ne nisëm këtë aktivitet që ka marrë një përmasë rajonale dhe kur më kujtohet që trashëguam 13 shërbime online dhe sot kemi mbi 260 shërbime.
Pavarësisht se numrat flasin për shumë, e vërteta është se ka ende më shumë për të realizuar qëllimin. Kemi 260 shërbime online, por që ende përdoren pak e megjithatë janë për t’u përdorur.
Që këto shërbime të jenë të përdorura nga qytetarët në një masë shumë herë më të madhe se ç’përdoren sot, nga njera anë ka shumë punë për të bërë për të rritur ndjeshmërinë e publikut për këto shërbime që kursejnë kohë dhe e shkëputin nga kthetrat e korrupsionit dhe bakshishit ordiner për një shërbim sado të thjeshtë dhe nga ana tjetër ka shumë për të bërë për të rritu edukimin e publikut që nga moshat më të vogla për transformimin e këtyre hapësirave.”















