Kur Sali Berisha e akuzoi për lidhje me Klemend Balilin, Koço Kokëdhima nuk ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit. Pavaraësisht akuzave të rënda ndaj Kokëdhimës për trafikun e drogës, deputetët socialistë që ishin në sallë heshtën. Më shumë se akuzat e Berishës, Kokëdhima duket se është ndjerë keq nga heshtja e deputetëve të Partisë së tij, që nuk folën asnjë fjalë për ta mbrojtur.
“Shpifja nr. 1004 e Saliut ndaj meje dje në Parlament, fatkeqesisht nuk u demaskua nga qeveritarët e deputetët e Partisë Socialiste, që i njohin plotësisht të vërtetat, që unë shpjegova më lart, siç i dinë edhe të gjithë banorët në Sarandë dhe Delvinë” shkruan Kokëdhima në Facebook.
Kjo është e dyta herë që Kokëdhima tradhtohet nga shokët e partisë. Disa javë më parë ata votuan që mandati i tij, të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, pa e diskutuar me vetë deputetin. Heshtja e kolegëve të tij dje, e ka burimin në konfliktin e vjetër mes Kokëdhimës dhe Gramoz Ruçit. Pavarësisht pushtetit të padiskutueshëm të Edi Ramës, Gramoz Ruçi mbetet numri dy i Partisë. Një qëndrim pro Kokëdhimës, me siguri do t’ia prishte qejfin. Në seancë, secili deputet ka bërë llogaritë dhe tashmë që Koço Kokëdhimës do t’i hiqet mandati, askush nuk do t’ia prishë qejfin Gramoz Ruçit.
Për të bërë më të qartë se nuk ka asnjë lidhje me Balilin, Koço Kokëdhima është i drejtpërdrejtë edhe me aleatin në qeveri, Ilir Metën. “Balilët janë me LSI”, shkruan Kokëdhima, duke lënë në rradhët e aleatëve atë që konsiderohet “Eskobari i Ballkanit”
Për të bërë më të qartë lidhjet e Eskobarit me LSI-në, Kokëdhima kujton vëllain e Klemend Balilit, Rigelsin që ka qenë kandidat për deputet i LSI-së në Delvinë.
“Dje në Parlament Saliu tha, se Klemet Balili është emëruar nga Kokëdhima në detyrën e drejtorit të shfrytëzimit të automjeteve në Sarandë. Ai gjithashtu tha, se gjoja Klement Balili është I afërt me mua dhe se ka financuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e qershorit të 2013. Kjo përbën shpifjen e Saliut nr. 1004. Kurrë nuk e kam njohur Klement Balilin, kurrë nuk e kam takuar apo biseduar me këtë njeri. Jam parë me të vetëm në inaugurimin e Hotelit tek ish-Kampi i punëtorëve në Sarandë, ku kam qenë së bashku me Kryetarin e Parlamentit, Ministrin Ahmetaj dhe nje grup deputetësh, Kryetarë të Bashkive, drejtues të shtypit e gazetarë. Balili nuk është propozuar dhe as emëruar si drejtor i KSHA Sarandë as nga unë dhe as nga Partia Socialiste. Ai, në këtë detyrë është propozuar dhe vendosur nga LSI. Që nga majii 2013, që unë jam në politikë dhe asnjëhërë tjetër me parë, Balilajt nuk e kanë mbështetur Partinë Socialiste as finaciarisht, as materialisht dhe në asnjë formë tjetër. Nga Balilajt, unë njoh prej një viti Rigels Balilin, qysh nga qershorit i 2015. Rigelsi u vendos nga LSI si kandidaturë për kryetar të bashkisë së Delvinës. Me Kryetarin e Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili, unë kam ruajtur kontakte dhe komunikim shumë të mirë, si me gjithë kryetarët e tjerë të Bashkive në Qarkun Vlorë-Gjirokastër, ku unë punoj. Kam takuar 3-4 herë edhe Bako Balilin, kordinatorin e LSI për rrethin e Delvinës, kryesisht gjatë fushatës elektorale të 2015. Përpara vitit 2013, Balilajt nuk kanë qenë kurrë me Partinë Socialiste” sqaron Kokëdhima.
















