Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) gjatë muajit prill ka gjobitur 33 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe lëndëve djegëse.
Në një komunikatë për media, ISHTI bën me dije se gjatë muajit paraardhës ka kryer 693 inspektime në mbarë vendin, në zbatim të ligjit “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”.
Pas kontrolleve të ushtruara u mbajtën aktet përkatëse të bllokimit, ndalimit apo konstatimit nga inspektorët e ISHTI-t.
Pas shqyrtimit të akt-konstatimeve nga Komisioni i Ankimeve Administrative, inspektorati vendosi masën e gjobës për 33 subjekte të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe lëndëve djegëse.
“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial do të vijojë pa ndërprerje kontrollet në të gjitha pikat e tregtimit të karburantit dhe të lëndëve djegëse. ISHTI u bën thirrje konsumatorëve të blejnë bombola gazi (GLN) në pikat e shpërndarjes të cilat janë të certifikuara dhe që përmbushin elementët e sigurisë teknike”, thuhet në njoftim.















