Policia ka arrestuar sot në Mitrovicë 34-vjeçarin R.B pasi që kishte postuar në Facebook një fotografi ku shihej me armë. Policia e Mitrovicës nëpërmes një komunikate bën të ditur se disa ditë më herët në rrjetin social Facebook kishte qarkulluar një fotografi ku një person kishte postuar fotografinë e tij me armë, ndërsa vendi thuhej se ishte diku në Mitrovicë.
Siç thuhet në komunikatë hetuesit policor të stacionit “Jugu” në Mitrovicë, kishin njoftuar prokurorin për rrethanat dhe përmbajtjen e kësaj fotoje dhe menjëherë kishin nisur hetimet drejt identifikimit të personit që shihej se posedonte armë.
“Pas një pune intensive operativo-hetimore hetuesit policorë sot në orët e mesditës kanë arritur të lokalizojnë dhe të identifikojnë personin e dyshuar R. B. 34 vjeçar, nga Mitrovica, i cili dyshohej se kishte në posedim armën në foton e postuar në rrjete sociale”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas identifikimit Policia ka realizuar një urdhër kontroll tek shtëpia e personi t të dyshuar, ku është konfiskuar një pistoletë, e cila armë ishte postuar në rrjete sociale nga personi i dyshuar.
Pas proceduarave intervistuese me urdhër të prokurorit të çështjes, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është iniciuar ‘mbajtje në pronësi, kontroll i paautorizuar i armës’’.















