“Tani po përgatiten ta sjellin Koçon, ministër të Turizmit! – njoftoi Edi Paloka sot, Kuvendin, duke bërë të qartë arsyen pse PD-ja kërkon të votohet tani Amendamenti i Dekusarizimit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i ka kërkuar sot Kuvendit të votojë nismën e re ligjore të PD-së që nuk i lejon ata ata që kryejnë krime kushtetuese të zgjidhen as në këtë parlament dhe as në institucione të tjera shtetërore: Amendamentin e dekusarizimit!
Paloka shpjegoi arsyet përse PD-ja është detyruar ta ndërmarrë këtë nismë pas “luftës” që bëri për mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, kapur me shkelje ligjore.
“Ndodh që Gjykata Kushtetuese ia heq mandatin atij zotërisë, si Ilir Beqajt, – tha Paloka, – por çfarë ndodhi: Rama e mori dhe na e ktheu ministër! Tani po përgatiten ta sjellin Koçon, ministër të Turizmit!” njoftoi ai Kuvendin, duke bërë të qartë arsyen e ndalimit.
“Para pak ditësh, i fundit i listës së Rilindjes iu bashkua listës nr.2 të Rilindjes që është tani ose jashtë parlamentit, ose në burg. Vendimi i Kushtetutës është mirëpritur jo vetëm nga opozita, por edhe nga një pjesë e Grupit të PS në parlament. Për fat të keq ka një njeri që nuk e mirëpriti: Ai është Edi Rama, që edhe pse e di se Kokëdhima ka shkelur ligjin, e ka penguar dhe ka votuar kundër vajtjes së çështjes Kokëdhima në Kushtetuese. Pasi Kushtetuesja e detyroi që ta çonte çështjen atje, u bënë të gjitha presionet për të penguar që Koço Kokëdhima të largohej nga ky parlament, sepse duam apo nuk duam ne, ai dhe pjesa tjetër e Rilindjes janë simboli i vërtetë i Edi Ramës, i atij që thotë do të bëjmë shtet….Ja pse ne i marrim vesh gjërat para jush,” theksoi Paloka.
Por, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, bëri një replikë që kujtoi se për ngjarjet e 2 prillit kishte shkuar 30 herë në gjykatë dhe se reforma në drejtësi do të zgjidhte shumë probleme.
“Lidhur me të Kushtetutën, do t’i kujtoja kolegut që mos qani kaq shumë. Kjo Kushtetutë është miratuar në ’98 kur ju nuk morët pjesë fare në të. Këtë Kushtetutë e anatemuat 8 vjet në opozitë. Kur flet Gjykata ne heshtim, pavarësisht rezervave që ne kemi për to në kuadrin e bërjes së reformës”, tha Ruçi ndër të tjera.
Kreu i grupit të PD, Paloka vazhdoi replikën dhe ridoli në foltore me fjalët:
“Me këtë reformën në drejtësi duket sikur keni kapur komardaren tha Paloka, por reforma ngelet në letër kur ke në krye njerëz si Edi Rama, njerëz që rrethojnë gjykatat, kur deputetët e tij vrasin, fëmijët e deputetëve të tij vrasin, ai duatroket kur gjykata i liron. Ulërin kur gjykata i dënon Koço Kokëdhimën, kryeoligarkun e këtij vendi. Është ai që kërcënoi gjykatësen se të pres këmbët për një fakir që nuk kishte paguar dritat.
A tha njeri gjykatë e korruptuar për atë që dënoi Xhuvanin, Frrokun, Koçon, Prengën?! Rama që merr në telefon gjykatësit e i kërcënon për të nxjerrë kriminelët dhe liruar oligarkët si Kokëdhima, na flet për reformën në drejtësi!”















