Kryeministri Edi Rama, tha sot se jo çdo gjë që deputetë të Partisë Demokratike thonë në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi është gabim, por duhet që PD të ndryshojë qëndrim.
“PD ka të gjitha mundësitë në tryezën e reformës të ngrejë probleme, ne jemi të hapur në atë tryezë të diskutojmë, të bëjmë më të mirën, nuk besoj se çdo gjë që PD thotë është gabim. Nuk besoj se në çdo që ata ngrenë shqetësime e kanë gabim, por, besoj që duhet te korrigjojnë një orë e më parë pozicionimin”, tha Rama, i pyetur nga gazetarët.
“PD duhet të qëndrojë në tavolinë, të jenë të vendosur për reformën, dhe duhet të na çlirojnë të gjithëve nga kjo barrë shumë e madhe që është një barrë mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar në fund të fundit, nuk është një barrë mbi partitë politike”, shtoi kryeministri.
I pyetur për vendimin e gjykatës Kushtetues që i hoqi mandatin deputetit Koço Kokëdhima, Rama u shpreh: “Unë nuk komentoj vendimet e gjykatave. Unë nënvizoj qe në këndvështrimin tim, është një arsye më shumë që të bëjmë një reformë të drejtë, reale në sistemin e drejtësisë”.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet të hapë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian brenda këtij viti, ose në kundërt kjo mund të ketë pasoja negative.
“Nëse humbim këtë moment të krijuar, nëse tresim këtë mbështetje të jashtëzakonshme që nga Shtëpia e Bardhë, në Kancelarinë në Berlin, dhe në të gjitha zyrat kryesore të Brukselit… kjo është një humbje që mund të na kushtojë vite të tëra, sepse nuk e dimë ku do jetë humori dhe predispozita e Bashkimit Europian vitin e ardhshëm”, tha Rama.














