Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës që ta miratojë sot reformën në drejtësi, në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi..
I pranishëm në një event me rastin e Ditës së Europës, Rama uroi që reforma të votohej sot në parim nga të gjitha palët.
Rama e cilësoi historike këtë reformë, e cila sipas tij do ta çojë Shqipërinë, nga “stacioni tranzitit në fluturimin e negociatave për t’u ulur përfundimisht në aeroportin e BE-së”.
“Përfitoj nga rasti që t’u them të gjithë atyre që janë shqetësuar lidhur me një pikë, në një nen të draftit, se nuk do të kenë amnisti për askënd që në të gjithë këta vite i ka shpëtuar drejtësisë, çka do të thotë që nuk do të lejohet asnjë përjashtim dhe besoj se në këtë pikë nuk do të jetë e vështirë për të pasur konvergjencë të plotë midis të gjitha partive. Pika që u bë objekt diskutimi dhe që me të drejtë e shumëkush e mori me shqetësim, sepse shfaqej në formën e një amnistie, tregon vetëm që edhe miqtë dhe partnerët tanë që na mbështesin dhe na ndihmojnë me shumë dëshirë dhe vullnet janë të gabueshëm”.
Rama iu referua një pike në propozimin e ndryshimeve kushtetuese që përjashtonte nga hetimi ministrat e para 3 viteve.















