Atmosferën e Pashkëve, Edi Rama e shijoi të gjithën në Korçë, një qytet i dashur për kryeministrin, që nuk e ka fshehur asnjëherë se gjen relaks mes korçarëve. Por kësaj radhe, dëshira për t’i ikur rutinës, ka qenë më e fortë se zakonisht. Burime të Lapsi.al thanë se Edi Rama doli të shtunën në mbrëmje i pashoqëruar nga Garda. Kryeministri ka humbur mes turmës së besimtarëve me qirinj në duar, pasi ia kishte prerë shkurt punonjësve të Gardës. “Mos na hajdeni prapa…” ishte urdhëri i shefit të qeverisë, që më pas u largua.
Por nata ndryshe mes besimtarëve ortodoksë, duket se nuk ia ka kthyer humorin. Rreth orës 10:30, kreu i qeverisë ka lënë hotelin ku qëndroi për t’u larguar nga Korça. Ka shpërfillur urimin tradicional në Mitropolinë e Korçës, që fillonte rreth orës 11;00. Në të njëjtën pritje ka qenë edhe presidenti Bujar Nishani, dhe përfaqësues të autoriteteve vendore, që kanë respektuar këtë ditë të shenjtë për besimtarët korçarë.















