Numan Kurtulmush, zëvendëskryeministër i Turqisë, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të premten, e ka lidhur ngushtë kulturën dhe gjeografinë islame me Kosovën.
Sipas Agjencisë Anadolu, Kurtulmush ka thënë se Kosova është një vend që ka përthithur kulturën islame në rrënjë dhe se është pika më e rëndësishme e gjeografisë islame në perëndim.
“Kosova është vend evropian dhe një vend që e ka përthithur kulturën islame në rrënjë. Duke qenë kështu, Kosova është pika më e rëndësishme e gjeografisë islame në perëndim”, ka thënë Kurtulmush.
Sipas tij, Kosova është një vend ku islami e ka paraqitur veten para Evropës me fytyrën e tij të mirë dhe paqësore.
Zëvendëskryeministri turk ka thënë se nga vendet myslimane do të kërkojë që të njohin sa më shpejt Kosovën, duke shtuar se njohja e Kosovës “do t’i jepte fuqi botës islame”.
Gjithashtu, ai ka thënë se dëshiron sa më shpejt dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, transmeton Express.















