Ministria e Kulturës hap për herë të parë Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj.
Ky fond synon mbështetjen e përkthimit të veprave më të rëndësishme të letërsisë shqipe bashkëkohore që kanë tashmë një kontratë botimi me shtëpi botuese të huaja.
Në një njoftim për shtyp, ministria e Kulturës bën të ditur se afati i aplikimit është nga data 23 prill deri më 23 maj 2016, ora 14:00.
Përsa u përket kritereve, sqarohet se aplikimi duhet të bëhet nga botuesi i huaj, që është i pajisur me një licencë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor dhe se botuesi duhet të ketë siguruar të drejtat e autorit përpara se të aplikojë ose të jetë në proces përmbyllës të sigurimit të këtyre të drejtave, proces që duhet të kryhet brenda afatit të dorëzimit të përkthimit parashikuar nga kontrata.
Gjithashtu botuesi duhet të paraqesë dhe kontratën e lidhur me përkthyesin; pas miratimit për mbështetje financiare të përkthimit, Ministria e Kulturës nënshkruan një kontratë dypalëshe me botuesin.
Kufiri i financimit nga MK-ja për një aplikim nuk mund të jetë më shumë se 300 mijë lekë, pavarësisht numrit të faqeve të librit që është përzgjedhur nga MK-ja.
Teksti duhet të përkthehet nga gjuha origjinale dhe dorëzohet në Ministrinë e Kulturës brenda datës 23 maj 2016. Ministria e Kulturë angazhohet për të parandaluar çdo keqpërdorim, abuzim apo kopjim të tekstit të përkthyer. Ndërsa aplikuesi duhet të tregojë nëse ka aplikuar apo ka siguruar mbështetje financiare nga burime të tjera.















