Seanca e sotme parlamentare e shndërruar në një seancë speciale për Emiliano Shullazin, ka mbërritur kulmin e saj kur Jozefina Topalli i bëri një pyetje kryeministrit. E nisur nga hipotezat që qenë hedhur në media se ministri i brendëshëm nuk guxonte ta përmendte me emër të fortin, se edhe policia kur e ndaloi nuk e paraqiti këtë as me foto as me kamera (nga frika se mërzitej Shullazi) Jozefina ka ngritur një pyetje : Pse policia nuk shfaqi as foto as filmime të arrestimit ?
Menjëherë pas kësaj e mori fjalën Rama i cili dha këtë shpjegim : « Duhet ta dish Jozefinë se policia nuk fotografon për ndalime por vetëm për arrestime » tha kryeministri i cili theksoi edhe njëherë se policia ka pritur deri pas mesnate që prokuroria të nxirrte zyrën e arrestimit.
Por kryeministri nuk thotë të vërtetën, ose në rastin më të mirë e devijon atë.
Së pari policia e kishte mundësinë ta nxirrte me foto Shullazin edhe pas orës 12 të natës kur i erdhi urdhër arresti. Sa e sa të arrestuar janë nxjerrë tek ai muri i bardhë i drejtorisë së policisë madje të shoqëruar edhe me policë në krahë?
Së dyti nëse nuk e filmonte vetë, policia shpesh ka përdorur edhe praktikën e lajmërimit paraprak të mediave në mënyrë që ato të xhironin gjoja rastësisht arrestimin e bujshëm.
Pra, kur policia ka qenë “krenare” për punën e saj ajo e ka gjetur gjithmonë mënyrën për tia treguar publikut arrestimin e suksesshëm.
Me Shullazin kjo nuk ndodhi. Dhe ndoshta ky është treguesi që më shumë se sukses, ky nga uniformat blu është gjendur në hall. Ndoshta pikërisht ky hall e shtyu Ramën të jepte shpjegime fëmijërore këtë të enjte në kuvend.
















