URAN BUTKA – (fragment tregimi, fq. 32 – 35 nga revista Poeteka)
Gjatë luftës së Dytë Syrja Qafëzezi kishte mbajtur anën e nacionalistëve, duke marrë pjesë në çetën e profesorit të gjuhës shqipe të Liceut të Korçës. Në luftën e Pocestës kundër italianëve ai la nam, ndërsa në luftën e Gërmenjit kundër gjermanëve, gusht 1943, u plagos rëndë në çapok dhe mbeti sakat. Lëvizte me një bastun në dorë, si ndonjë plak, ndonëse ishte në lulen e rinisë. Pikërisht në këtë kohë, kur nuk ishte më i zoti për luftë, i erdhi në ndihmë shkollimi. Ai u bë një orator i zjarrtë i bashkimit, madje ndërmjetësoi për një marrëveshje mes nacionalistëve dhe komunistëve në Kolonjë për luftë të përbashkët kundër pushtuesve. Më pas, kundërshtar i flaktë i luftës vëllavrasëse. Kur ajo mënxyrë ngjau, ai u hoq mënjanë.
Pas luftës ai u kthye në familje. Kishte nisur vala e arrestimeve dhe e pushkatimeve. Qëndroi në shtëpi, nuk iku gjëkundi, se e ndiente veten të papërlyer. Përkundrazi. Mirëpo një ditë erdhën për ta arrestuar, ndërkohë që nuk u ndodh në shtëpi. Prej asaj dite, u strehua tek një mik, mandej, tek e kërkonin me pishë e me qiri, ai u fsheh tek pylli i madh i Llozit, matanë Osumit. Kaloi disa muaj në arrati me shpresë se gjërat do të qartësoheshin dhe ai do të kthehej. Por nuk ndodhi ashtu. Kundërshtarët, apo ata që u hoqën mënjanë, ndiqeshin për t’u ndëshkuar. Askush nuk e dinte se ku ishte strukur, përveç mikut, që i çonte bukë netëve me terr. As familja e Syrjait nuk e dinte. Nëse merrej vesh, strehuesit i digjej shtëpia.
Një natë ai i shpuri, bashkë me torbën e bukës, edhe lajmin e hidhur se i kishte vdekur babai.
https://www.facebook.com/poeteka?fref=ts


















