U shënua 17 vjetori i dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova nga forcat ushtarake e policore të Serbisë.
Me këtë rast, u mbajt marshi tradicional “Eksodi ‘99”, i cili organizohet në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen vëllazërore që kishin ofruar asokohe qytetarët e Shqipërisë.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, deputeti i Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës, Raif Qela, kryetarët e komunave të Prishtinës, të Mitrovicës e të Ferizajit, së bashku me qindra qytetarë nga mbarë Kosova, e kaluan kufirin në këmbë dhe shkuan në Kukës.
Në kufi ata u pritën nga kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.
Ministri Murati theksoi se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës para 17 vjetëve ishte një prej momenteve më të rënda në historinë tonë.
“Në ato momente të rënda, qyteti i Kukësit në veçanti dhe i tërë shteti shqiptar në përgjithësi me një solidaritet të jashtëzakonshëm ishin në funksion të lehtësimit të kësaj gjendjeje, duke i hapur dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre”, tha Muratri.
Ai, në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës i falënderoi qytetarët e Kukësit për mikpritjen e shprehur para 17 vjetësh, si edhe udhëheqjen e bashkisë së Kukësit dhe institucionet e shtetit shqiptar.
“Kukësi dhe gjithë Republika e Shqipërisë ishin pjesë e përpjekjeve për liri të Kosovës në të gjitha format. Kosova e pavarur është projekt i të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm i atyre të Kosovës”, tha Murati.
















