Megjithëse Beogradi zyrtar ende nuk i ka dërguar kërkesë OSBE-së për organizimin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, partitë serbe tashmë kanë filluar fushatën parazgjedhore në komuna të ndryshme të Kosovës. Politikanët serbë ka ditë që po vizitojnë vendin tonë, raporton “Zeri.info”.
Ishte kryeministri Aleksandër Vuçiq, i cili me deklarata nacionaliste u bëri ftesë serbëve të Kosovës të votojnë për të. Ndërkohë, edhe Partia Radikale ka mbajtur fushatë në veri të Mitrovicës, ku i pranishëm ishte paraparë të jetë edhe politikani radikal serb, Vojsllav Sheshel.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, më 24 prill.
Sipas kryeministrit Isa Mustafa, në Kosovë nuk do të mbahen zgjedhjet serbe. Mirëpo, ai thotë se do të ketë vetëm grumbullim të votave në bashkëpunim me OSBE-në.
Lëvizja “Vetëvendosje” me anë të një konference për media e ka quajtur të papranueshme mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Sipas tyre, Qeveria e Mustafës po nënshtrohet karshi mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.
Shefi i Grupit Parlamentar nga kjo parti, Glauk Konjufca, tha se edhe disa ministra të Qeverisë së Kosovës janë duke lobuar që këto zgjedhje të mbahen në vendin tonë.
“Këto zgjedhje përveç që nuk po ndalohen nga Qeveria e Kosovës, ministrat e Isa Mustafës po kontribuojnë në to dhe po marrin pjesë në tubimet e organizuara nga Vuçiqi e Daçiqi në Kosovë. Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ato janë në përputhje vetëm me Kushtetutën e Serbisë. Tash shtrohet pyetja: cila është përgjegjësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtja e Kushtetutës sonë, apo mbrojtja e Kushtetutës së Serbisë?”.
Sipas Konjufcës, Qeveria e Kosovës është vënë në funksion të Kushtetutës serbe dhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, përballë dështimit për t’i ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, po mundohet t’i paraqesë këto zgjedhje si zgjedhje normale demokratike të një shteti fqinj. Zgjedhjet e Serbisë që janë paralajmëruar të mbahen më 24 prill, nuk janë thjesht zgjedhje të një shteti fqinj, shtetasit e të cilit votojnë në ambasadën e shtetit përkatës, por janë zgjedhje që po organizohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Serbisë në Kosovë”, tha drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, duke shtuar se kjo është shkelje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë e sovranitetit shtetëror, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit të paprekshëm të sistemit zgjedhor.
Lëvizja “Vetëvendosje” ka ftuar organet e rendit që të zbatojë ligjin dhe ka apeluar që çdo person dhe politikan që vjen nga Serbia për këto aktivitete të kundërligjshme, të ndalohet hyrja në Kosovë.














