Ka startuar sot faza e dytë e aksionit anti-informalitet në ekonomi. I pranishëm në një aktivitet të organizuar për këtë rast, kryeministri Edi Rama deklaroi se nga rezultatet e fazës së parë, ka rezultuar se potenciali është ende i madh dhe i pashfrytëzuar.
“Çfarë ka ndodhur në fazën e parë është një eksperiencë shumë e vyer, qoftë për të parë përmes fakteve, shifrave dhe ecurisë së marrëdhënieve mes administratës doganore-tatimore dhe sipërmarrjes, rezultatet e prekshme, por qoftë për të kuptuar së bashku falë këtyre rezultateve se potenciali është ende shumë i madh dhe ende i pashfrytëzuar. Jemi të vetëdijshëm dhe jo vetëm në këtu në sallë, drejtuesit politik apo drejtuesit e administratës fiskale e punonjësit, apo sipërmarrësit të cilët që ditën e parë kanë qenë partnerë të qeverisë në këtë proces, por i gjithë opinioni publik për të këqijat e mëdha që i solli vendit, ekonomisë, ecurisë së çdo sipërmarrjeje, informaliteti”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë përmendi efektet negative të informalitetit si për konsumatorin ashtu edhe për ekonominë.
“Në 20 e kusur vite ekonomia informale u zgjerua dhe shtriu rrënjët e veta në çdo sektor, duke e bërë të pamundur mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit lidhur me cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, duke i penguar financat publike të shëndoshen me ritmet e mundura dhe duke influencuar mbi cilësinë e shërbimeve publike”, tha Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se informaliteti është një sëmundje që na prek të gjithëve, pa përjashtim. “Sot jemi në kushte të reja ku kemi siguruar që çdo biznes të jetë i regjistruam, të ketë kasën fiskale që funksionon dhe të ketë vetëdijen që mos deklarimi i punonjësve është krim. Ne sot kemi disa rezultate shumë inkurajuese të betejës kundër informalitetit të arritura nder të tjera pa kontrolle abuzive mbi sipërmarrjen. Por ajo që ka filluar të bëjë diferencën është ndërtimi i një truri elektronik në sistemin tonë fiskal, i cili është një ndihmë e pazëvendësueshme për ekipin drejtues dhe të gjithë forcave që janë të përfshira në këtë betejë, në anën e shtetit.”- theksoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se “tanimë kemi një njësi të përbashkët të tatimeve dhe doganave, qoftë për riskun, qoftë për hetimin, që krijon kushtet për të organizuar kontrolle që rrisin efektivitetin në mbledhjen e të ardhurave.”
Më tej shefi i qeverisë theksoi se qeveria ka nisur mbylljen përfundimtare të shtigjeve të kontrabandës. “Kemi dhe presim një rritje si asnjëherë më parë në tatimin mbi të ardhurat personale dhe vazhdojmë besojmë se rritja e jashtëzakonshëm e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duhet të vazhdojë. Ende potenciali është më i madh se sa rezultati.”- tha Rama.
Lidhur me mbledhjen e të ardhurave në tre muajt e parë të vitit, Rama tha se “janë arkëtuar afro 100 milionë dollarë më shumë, për të qenë të saktë 96 milionë vetëm nga tatimet, më shumë se sa objektivi. Pra jemi thuajse mbi 20% më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë”.
















