ERVIN SALIANJI
Sjellja e qeverisë së Ril indjes në 3 vjet është asgjë më pak se fjala apo mendimi i Ramës i kthyer në veprim. Çfarë mendon dhe thotë Rama është ligji, çfarë mendon Rama është projekti, kush nuk është me Ramën, është antiligji. Kjo devizë e ka shoqëruar qeverisjen në thuajse 3 vjet.
Sjellja e institucioneve për shkatërrimin e parkut është epilogu i kësaj mënyre qeverisjeje. Pasi ndërton pa projekt, pasi fillon punimet dhe më pas bën projektin, pasi fillon punimet pa pasur leje, pasi thotë nuk do të ketë beton dhe më pas betonizon parkun pa turp, më pas shkon dhe rreh brutalisht qytetarët që protestojnë, që kërkojnë referendum që zëri i tyre të dëgjohet. Por Rama s’mund ta lërë me kaq.
Deputetët e shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve lihen pas porte për të legjitimuar jo vetëm ushtrimin e dhunës nga policia, por për të legjitimuar tiraninë. Për të rrëzuar çdo garanci dhe të drejtë që demokracitë konstitucionale u njohin pakicave dhe ndalojnë tiranitë e shumicave!
Tirania dhe mospasja frikë nga llogaridhënia para qytetarëve kanë bërë që Shqipëria të shkojë në deflacion, që qeveria të shpërdorojë pa fund duke vjedhur nga 1 miliard euro në vit. Që borxhi publik të rritet jo për investime, por për të rritur luksin qeveritar dhe për të tenderuar zyrat dhe makinat. Që të mos ndërtohet asnjë kilometër rrugë që të bashkojë tregjet dhe të ulë kostot e prodhimeve, por të mbillen palma. Kjo bën që të rriten taksat për biznesin e ndershëm dhe t’u ngrihet trau miqve banditë të qeverisë.
Mosllogaridhënia bën që shqiptarët të largohen nga ky vend dhe askush të mos shqetësohet, ndërkohë që është për të vënë kambanat e alarmit. Kjo bën që të mos votohet Reforma në Drejtësi, sepse të gjitha abuzimet vijnë për shkak të mosndëshkueshmërisë nga ligji. Kjo bën që qytetarët të paguajnë lekë nëpër spitale dhe të mos marrin shërbime, ndërkohë që qeveria bën 320 milionë euro koncesione.
Tirania bën që qytetarët të mos kenë fuqi blerëse sepse çmimet i vendos oligarkia e lidhur me qeverinë. Kjo bën që arsimi të rrisë tarifat, por jo cilësinë. Që forca e kualifikuar punëtore të largohet, që Shqipëria të mos jetë konkurruese në rajon. Që investimet e huaja të bien si asnjëherë.
Që papunësia të shembë mijëra familje dhe që qeveria të guxojë të tallet me propagandën Shqipëria ka punë, por s’ka punëtorë. Tirania nuk pyet prandaj s’ka rritje rroge dhe pensioni, prandaj nuk ka subvencione dhe ndihmë në bujqësi, por ka kërbaç dhe selektivitet! Prandaj opozita kërkon që bashkëjetesa në këtë vend të jetë sipas normave të përcaktuara në Kushtetutë, si themeli i kontratës mes qeverisë dhe të qeverisurve. Për Kushtetutën dhe ligjin, për ligjshmërinë dhe llogaridhënien që sjellin përgjegjësi më të madhe ndaj qytetarëve.
Që e bëjnë qeverinë shërbëtore të interesave të qytetarëve dhe jo padrone të Shqipërisë dhe shërbyese të një grupi të vogël njerëzish. Edhe që të hapet debat i shëndoshë për secilën nga çështjet që shqetësojnë Shqipërinë, qeveria duhet futur në binarët e kushtetueshmërisë dhe të ligjit, ose duhet larguar nga sovrani një orë e më parë!
















