Deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi thotë se do të angazhohet kundër referendumit të paralajmëruar për më 9 prill.
Sipas saj, socialistët duhet t’i thonë JO këtij referendumi, pasi ai synon që të zëvendësojë zgjedhjet brenda partisë.
Në një intervistë për “Panorama”, deputetja e Shkodrës thotë se referendumi do të mbahet mend si tentativë e paprecedentë për heqjen e të drejtës së votës.
Hafizi: Në këtë situatë, ne do të kërkojmë të gjitha mundësitë për të kontaktuar socialistët e bazës e për të shpjeguar se pse secili prej tyre duhet të thotë me indinjatë: Jo Referendumit të 9 Prillit! Ky referendum, ky proces pa fushatë e pa kandidat, po tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, proces që nuk do të mund të zhvillohej pa fushatë e pa kandidat.
Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e votës për kryetarin e tyre dhjetëra mijë socialistëve. Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e kandidimit anëtarëve të PS-së”.
Gjatë intervistës, ajo thotë se statuti i ri nuk u miratua nen për nen qëllimisht për shkak se anëtarësia mund të ishin kundër një kryetari të përhershëm, duke shtuar se rezultatin do ta kishte lakmi edhe Enver Hoxha.
Hafizi: Unë nuk e pranoj se në Kongres ishim pakica prej 3 vetash përkundër 1497 të tjerëve. Këtë rezultat do ta kishte pasur lakmi edhe shoku Enver. Në këtë kongres thjesht nuk u verifikua vota, e cila në demokraci kalon përmes kutisë së fshehtë. Dhe pikërisht këtë po kërkojmë prej muajsh, që të ndërtohet një proces kandidimi për kryetarin e partisë, proces me votim të fshehtë, me fushatë dhe me kandidatë alternativë. Vetëm atëherë mund të thuhet se cila është shumica dhe cila është pakica.
E pyetur nëse ajo po përgatitet për tu bërë pjesë e një partie të re është përgjigjur në latinisht me shprehjen e famshme të Galileit: “E pur si muove”!
/Ora News/















