Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave të reciprocitetit me Serbinë për çështjen e certifikatës për transportimin e mallrave të rrezikshme, gjë që ka çuar në ndalimin e kamionëve të kompanive serbe në kufi me Kosovën.
Vuçiq, në një prononcim për media, ka thënë se qeveria e tij është duke u marrë me problemin dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Brukselin.
Ai ka thënë se beson që kjo çështje do të zgjidhet shpejt, duke shtuar se nuk dëshiron t’i “hedhë benzinë zjarrit” kur bëhet fjalë për këtë çështje.
“Po shikojmë që ta zgjidhim këtë dhe ju them me bindje të plotë se për këtë çështje po merremi çdo ditë. Nuk dua që të vë benzinë mbi zjarr për këtë çështje, por besoj që në një të ardhme shumë të afërt do ta zgjidhim këtë çështje”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.
Tri ditët e fundit, për shkak të masës së reciprocitetit, të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, në vendkalimin kufitar në Merdar është krijuar kolonë e gjatë të kamionëve me ngarkesa të rrezikshme.














