Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka kërkuar hetim urgjent për personat që kanë nxjerrë në mënyrë të paautorizuar fotot e dy vajzave të arrestuara ditën e djeshme në kuadër të operacionit të koduar ‘Mustang’, ku u vunë në pranga 7 persona për shfrytëzim prostitucioni.
Shtetaset A.B, 27 vjeçe dhe D.D 24 vjeçe, u arrestuar për ushtrim prostitucioni në këmbim të pagesave të majme në zonën e ish-Bllokut, së bashku me 5 persona të cilët i shfrytëzonin ato, duke krijuar lidhjet me klientë të ndryshëm. Fotot e dy vajzave u publikuan ditën e djeshme nga disa portale online, duke sjellë edhe reagime tek përfaqësues të shoqërisë civile.
Në një postim në faqen e vet zyrtare në Facebook, deputetja socialiste, Vasilika Hysi shprehet se vlerëson operacionet policore kundër shfrytëzimit të vajzave për prostitucioni, por e cilëson publikimin e identitetit dhe fotove të tyre një viktimizim të dytë.
“Vlerësoj aksionet për goditjen e rrjeteve të shfrytëzimit për prostitucion, por trishtohem për faktin që media publikon emrat dhe fotot e vajzave- viktima. Dy herë viktima”, shkruan Hysi në FB.
















