Ish-polici Ajet Zeqaj që u ekzekutua me pistoletë me silenciator mbrëmjen e së mërkurës më 16 mars në zonën e ish-Bllokut, dyshohet të jetë bërë për shkak të konflikteve që mund të ketë pasur në Francë.
Hetimet e policisë janë ende duke vazhduar dhe po kqyren kamerat e sigurisë nëpër rrugët e kryeqytetit për të parë se në cilin drejtim u arratis vrasësi pas krimit. Hetimet e policisë për momentin nuk janë të orientuara në pistën se ngjarja mund të jetë një vrasje me pagesë. Kjo pasi, lëvizjet e autorit të analizuara nga pamjet e kamerave të sigurisë në vendngjarje, nuk janë ato të një vrasje gjakftohtë.
Sipas burime të Syri.net, në vendin e ngjarjes grupi hetimor gjeti 6 gëzhoja, që do të thotë se autori qëlloi 6 herë me pistoletë, nga të cilat e kapën 4 plumba. Fillimisht vrasësi iu afrua nga pas kurrizit viktimës dhe e qëlloi me plumb në kokë. Pasi ish-polici u rrëzua përtokë nga goditja fatale, vrasësi iu afrua sërish dhe filloi të qëllonte plumba të tjerë mbi trupin e viktimës.
Ky veprim i autorit, ende i paidentifikuar, tregon një mllef të mbartur ndaj Ajet Zeqajt, duke shfryrë inatin tek këmbëza e pistoletës. Në krahasim me rastin e kundërt, një vrasës me pagesë nuk do të kishte shtënë tërë inat ndaj viktimës, pasi është paguar vetëm për të kryer vrasjen. Me pak fjalë, vrasësi me pagesë, do të qëllonte me gjakftohtësi dhe do të largohej.
Element tjetër që dallon këto dy pista hetimi është edhe fakti që autori pasi kreu vrasjen, u largua për disa metra, u kthye, hodhi pistoletën në tokë dhe u largua sërish, duke dalë në rrugë kryesore. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, sapo ai doli nga një tunel mes pallateve, kaloi në anën tjetër të rrugës.
Deri këtu tregojnë pamjet e policisë momentin e largimit të tij nga vendngjarja. Ndërkohë grupi hetimor është duke analizuar të gjitha kamerat e sigurisë së rrugëve, për të parë se në cilin drejtim u largua vrasësi.
















