Në kërkim të një Ambasadori për Londrën
Nga Petrit Kuçana
Papërgjegjshmëri?
A është e mjaftë kjo fjalë për të përshkruar një dukuri thuajse fare normale për përfaqësuesit e shtetit shqiptar. Shqipëria nuk ka ambasador në Londër që prej tetorit të vitit të kaluar.
Kaq normale është kjo dukuri, sa vetëm pak ditë më parë u hoq nga faqja e Ministrisë së Jashtme (versioni anglisht) “mbulesa” e deritanishme, se Mal Berisha vazhdonte të ishte ambasador. E kur gjithçka mbetet zbuluar, Tirana zyrtare vazhdon të mos e shikojë “të arsyeshme” përfaqësimin me Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën e Irlandës.
Kurrsesi nuk besohet se kjo u ka shpëtuar zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, sepse tashmë kanë spastruar radhët e ambasadorëve “të padëshiruar”, siç ishte rasti i Londrës, Romës etj, por nëse atje ka ndodhur zëvendësimi, Londra bën përjashtim.
Aq më tepër që vetëm pak kohë më parë kryeministri dhe disa ministra vizituan Londrën, e mbase kanë marrë frymë lirisht kur nuk kanë hasur mbiemrin Berisha…
Duket se ky ishte edhe qëllimi në vetvete i qeveritarëve shqiptarë që për hir të së vërtetës shënuan precedentin e parë në historinë e diplomacisë shqiptare në mosnjohjen e disa ambasadorëve.
Është një mesazh i frikshëm që përcillet me këtë rast nga Tirana, kur duket se kryeministri “mjaftohet” me lobing-un e tij në Londër, dhe se asgjë tjetër nuk ka rëndësi më për të.
E mbase do të ishte e kotë të flitet për shërbimet që ofrohen. Nëse denoncimet në media bërë që një zyrtare të largohej nga puna në Itali, (si pasojë e korrupsionit), lajmet për shërbimet konsullore të korruptuara janë pohuar me zë dhe figurë nga vetë Ministri i Jashtëm Z. Bushati.
Çfarë do të ndodhte nëse së paku shërbimet konsullore do të bëheshin për fundjavë, kur emigrantët nuk do të detyrohen të lënë ditën e tyre të punës?
Në shumë raste mund të flitet edhe për shtim të numrit të stafit nëpër shërbimet konsullore, por zakonisht zyrtarët e Tiranës justifikohen me mungesën e fondeve, buxhetit etj etj. Me një përllogaritje të thjeshtë, vetëm një vizitë e Kryeministrit dhe qëndrimi disa ditor në Londër (siç ka ndodhur me dhjetëra herë dhe natyrisht ai nuk vjen vetëm …bileta, hotel, dreka, darka etj etj) së paku e paguajnë rrogën vjetore të një punonjëse shtesë në shërbimin konsullor, pa përfshirë këtu ndonjë “rikonstruksion zyrash” dhe mbase nuk duhet të kërkosh ndonjë shifër të Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzimet.
A do të mund ta besonte kush se teoria e famshme Partneriteti Publik-Privat (PPP) do të vihej në zbatim në rastin e Ambasadës Shqiptare në Londër, apo do të jepej më koncesion, do të kalonin 5 muaj që Shqipëria nuk do të mund të kishte gjetur ambasadorin e saj në Londër?
Në të vërtetë as 5 ditë…
Duket se heshtja e Tiranës zyrtare në rastin e Londrës rikonfirmon nuancat e tematikës ditore të dashurive Parti-Shqipëri dhe nuk besohet se ka socialist apo rilindas që do të pajtohej me këtë vendosje, sidomos kur bëhet fjalë për shërbimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë dhe jo (larg qoftë).. për drejtorinë e doganave dhe tatimeve.
E mbase ndonjë ditë prevalimi i dashurisë për Shqipërinë mbi Partinë, do të kujtojë ndonjë zyrtar dhe ndoshta ndonjë ditë do të përshpërisë në veshin e duhur, se Shqipëria duhet të ketë ambasador në Londër, qoftë edhe simbolikisht siç ndodh shpeshherë, qoftë edhe duke shpërblyer ndonjë “kontribuues” që mund të shkollojë fëmijët falas në Britaninë e Madhe…
Përndryshe…konçesioni do të bënte punë…















