Autoritetet serbe kanë kthyer dje në Kosovë 103.222 tekste mësimore të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, të cilat ishin dedikuar për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Tekstet ishin bllokuar më 10 shtator 2015 dhe që nga ajo kohë janë mbajtur në terminalin doganor në Preshevë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, e vlerësoi këtë si një dështim të radhës të Qeverisë së Kosovës, e cila, sipas tij, nuk arriti të ndihmojë shqiptarët e Luginës së Preshevëds për realizimin e të drëjtave të tyre.
Ai tha se negociatat në Bruksel nuk kanë sjellë asgjë të mirë për Kosovën as në sektorët ku u tha se ka pasur rezultate, si në sektorin e arsimit.
“Sistemi paralel i Beogradit në Kosovë është përforcuar, gjersa në anën tjetër shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc nuk kanë përfituar pothuajse asgjë në shtimin e të drejtave për arsim në gjuhën amtare. As diplomat e Kosovës nuk po pranohen në Serbi”, ka thënë Haskuka, transmeton Koha.net.
“Ne patëm thënë që në momentin që janë lejuar të hynë librat nga Serbia nga doganat, më një shkrim të një nëpunësi nga Ministria e Kulturës, në kundërshtim me vendimin e Ministrit të Arsimit, jo vetëm që është vepruar në mënyrë kundërligjore por janë humb gjasat që librat shqip të shkojnë tek nxënësit e Luginës”, theksoi Haskuka,.
Ai tha se kjo dëshmon se nuk ka ekzistuar ndonjë marrëveshje ndërmjet palëve për tekstet shkollore dhe vlerësoi se “përmes negociatave në Bruksel po shkatërrohet shtetësia e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës po mbesin populli më i diskriminuar në Evropë”.
Anëtari i Kryesisë së Vetëvdendosjes, Belgzim Kamberi, tha se kthimi i teksteve mësimore paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Serbi. Ai theksoi se Serbia, as 15 vjet pas rënies së Millosheviçit, nuk e ka zgjidhur çështjen e zbatimit të të drejtave për arsimim në gjuhën amtare dhe për ruajtjen dhe për zhvillimin e veçorive kulturore, historike dhe identitare minoritare.
“Arsimimi nuk mund të ndodhë pa tekste mësimore në gjuhën shqipe dhe as më pak me tekstet e tanishme në fuqi në Serbi, që janë pothuajse të njëjtët me ato të kohës së Millosheviqit. Sigurisht se mbajtja rreth gjashtëmuajshe të teksteve mësimore të Republikës së Kosovës në Serbi në doganën serbe që i kanë kushtuar mbi 70.000 euro buxhetit të Kosovës dhe kthimi i tyre është edhe rezultat i një farse të madhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit”, u shpreh Kamberi.
Ai tha se Kosova dhe Lugina e Preshevës u poshtëruan sërish nga Serbia dhe këtkoi të bëhet presion për ndryshimin e planprogrameve dhe teksteve mësimore.
“Ministri i Arsimit u mundua që të vendosë masa reciprociteti vitin e kaluar, por kjo gjë ishte e pamundur ngaqë shkonte në kundërshtim me Ligjet e Kosovës. Ligji për Arsimin në Komuna lejon përdorimin e kurrikulave dhe librave shkollor nga Republika e Serbisë. Komisioni përgjegjës i Republikës së Kosovës që do të vërtetonte nëse tekstet e Serbisë janë në përputhje me legjislacionin e Kosovës. Pra, këtu nuk mund të kemi reciprocitet sepse në njërën anë Republika e Kosovës si rezultat i Pakos së Ahtisaarit lejon përdorimin e teksteve mësimore dhe de facto pranon kurrikulat e Republikës së Serbisë për t’u përdorur në shkollat e Kosovës ndërsa Serbia nuk i pranon tekstet shqipe që burojnë nga kurrikulat e Kosovës dhe Shqipërisë”, tha në fund Kamberi.















