Ndryshimi i masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë për deputetin Armando Prenga, ndaj të cilit rëndojnë tre akuza, s’ka kaluar në heshtje jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët. Dy diplomatët më me peshë në vendin tonë, ambasadori amerikan Donal Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin kanë zhvilluar sot një takim me kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
Burime të Lapsi.al thanë se takimi “blic” i dy diplomatëve në Gjykatën e Lartë lidhej pikërisht me vendimin për lirimin e deputetit të PS-së, Armando Prenga, edhe pse fillimisht pati raportime se ky takim kishte të bënte me reformën në drejtësi.
Ambasadorët Lu e Vlahutin i kanë shprehur shqetësimin e tyre kreut të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit Prenga. Situata është absurde pasi jemi në kushtet kur agresori, deputeti Prenga, është në gjendje të lirë, madje merr pjesë edhe në punimet e Kuvendit, ndërsa viktima, i plagosuri i familjes Cali ndodhet në qeli.
Ndaj deputetit rëndojnë tre akuza të rënda: “Plagosje e lehtë me dashje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosjes”. Pavarësisht këtyre akuzave Gjykata e Lartë i hoqi arrestin me burg deputetit Armando Prenga.
Ky vendim dhe gjithashtu rikthimi në Kuvend i Prengës ka sjellë reagime të ashpra edhe nga opozita. Gjatë ditës së sotme, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se opozita do të bllokojë punën e Kuvendit nëse nuk zbatohet ligji i Dekriminalizimit për largimin e Armando Prengës dhe tre deputetëve të tjerë.
Po sot deputeti Prenga ka thënë se nuk ka asnjë vendim gjykate, që tregon se ai është i dënuar. Prenga gjithashtu i solli në vëmendje Lulzim Bashës rastin e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, i cili është në detyrë edhe pse është dënuar për shpërdorim fondesh e korrupsion nga Gjykata e Tiranës.















