Ndonëse një natë më parë kryeministri Edi Rama kishte përjashtuar ndryshimet në qeveri, sot ai ka shkarkuar ministrin e Financave, Shkëlqim Cani dhe në vend të tij ka emëruar Arben Ahmetajn. Në vend të këtij të fundit, në krye të ministrisë së Ekonomisë ka shkuar Milva Ekonomi, e cila deri më sot mbante postin e zv/ministres së Shëndetësisë.
Ky ndryshim është lëvizja e parë e rëndësishme në kabinetin Rama. Ministria e Financave ka qenë në qendër të kritikave të forta për shkak të performancës së dobët dhe menaxhimit të dështuar të ekonomisë në këto tri vite të qeverisjes së majtë. Cani, tashmë kthehet në Kuvend, pasi ai nuk e kishte dorëzuar mandatin e deuptetit si kolegët e tjerë minsitra.
Ndryshime në qeveri janë kërkuar vazhdimisht nga LSI, por Rama nuk kishte vepruar deri më sot. Ilir Meta dhe LSI kanë qenë veçanërisht kritikë ndaj performacës ekonomike të qeverisë.
LSI ndryshoi ministrin e saj të Drejtësisë pak kohë më parë, me shpresë se do t’u hapte rrugë lëvizjeve të tjera. Një darkë e Ilir Metës me Edi Ramën rreth tre javë më parë si dhe dy mbledhje të forta të kryeministrin me kabinetin e tij dhe përfaqësues të grupit parlamentar kishin paralajmëruar ndryshimet e sotme. Sipas burimeve të lapsi.al, këto ndryshime do të pasohen edhe nga lëvizje të tjera.
















