Edhe pse një vend i vogël, nuk ka një ngjarje të madhe globale ku Shqipëria e shqiptarët të mos jenë të pranishëm ose të citohen.
Kështu ndodh me krizën në Siri, ku dhjetëra shqiptarë janë përfshirë në radhët e ISIS.
Kështu ndodh edhe me krizën e refugjatëve, ku sërish qindra e mijëra shqiptarë kanë braktisur vendin e tyre, njësoj si ata që janë në luftë.
Por nuk mund të jetë Shqipëria larg vëmendjes edhe sa i përket krizës në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, përmendi precedentin e Kosovës kur iu referua bashkimit të Krimesë me Rusinë.
Megjithatë, në seancën e radhës në Këshillin e Sigurisë, përfaqësuesi rus, Pyotr Ilyichev i është përgjigjur akuzave që i bëhen Moskës se po shkel ligjin ndërkombëtar me ndërhyrjet në Ukrainë.
Zëvendësambasadori rus tha se SHBA dhe Britania kanë bërë shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar.
Ai përmendi si rastin e parë incidentin e Kanalit të Korfuzit.
“Për shembull, për herë të parë në historinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjen e vitit 1946 për Kanalin e Korfuzit, gjykata pranoi se Britania ka dhunuar sovranitetin e Shqipërisë”, tha ai.















