Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të përfitojë më shumë se 1 milion dollarë në sezon te Kolorado Rapids
Nuk ka qenë vetëm dëshira për të luajtur më rregullisht ajo që ka shtyrë Shkëlzen Gashin drejt kampionatit amerikan të futbollit (MLS). Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit ka nënshkruar vetëm pasi Kolorado Rapids, klubi me të cilin lidhi një marrëveshje katërvjeçare, e ka bërë atë një prej milionerëve më të rinj të kampionatit, duke i ofruar një kontratë të majme që kalon 1 milion dollarë në sezon.
E përditshmja zvicerane “Blick” ka mësuar se Gashi ka hedhur poshtë ofertat e tjera që i kishin ardhur duke zgjedhur atë amerikane për dy arsye. E para ishte se i ofrohej një mundësi e mirë sportive për t’iu bashkuar një kampionati që po përforcohet dita-ditës. Kësisoj, ai do të kishte mundësinë të tregonte vlerat e tij dhe të përgatitej njëkohësisht për pjesëmarrjen në Kampionatin Europian, Francë 2016, me fanellën e kombëtares shqiptare të futbollit. Por arsyeja e dytë ishte po aq e rëndësishme, pasi klubi amerikan e ka përfshirë atë në listën e tre lojtarëve që bëjnë përjashtim nga “rroga tavan” prej 456 mijë dollarësh. Këta lojtarë, për të cilët përdoret termi “Designated Player”, janë zakonisht yjet e skuadrave dhe kontratat e tyre janë disa herë më të mëdha se ato të shokëve të ekipit. Braziliani Kaka kryeson listën e më të paguarve në MLS me 6,6 milionë dollarë në vit, i ndjekur nga Stiven Xherard me 6,2 milionë dollarë dhe Frenk Lampard me 6 milionë dollarë.
Gashi nuk do të përfitojë shuma të tilla, të paktën për momentin, por Kolorado Rapids i ka caktuar atij një rrogë më se të kënaqshme, të ngjashme me Kevin Dojl, partnerin e tij të sulmit. Irlandezi përfiton 1,1 milionë dollarë në sezon, duke qenë gjithashtu një prej tre “Designated Players” të klubit amerikan. Këtyre të ardhurave mund t’u shtohen edhe të tjera në formë shpërblimesh nëse arrihen objektiva të paracaktuar nga klubi. Njëkohësisht, Gashi pritet të fitojë shifra të konsiderueshme edhe nga marketingu, pasi në SHBA, sportistët shpesh fitojnë më shumë nga të drejtat e imazhit sesa nga rroga që paguhen në klubet e tyre.
Gjatë vitit 2012, Hamdi Salihi përfitoi 487 mijë dollarë duke luajtur me fanellën e DC Junajtid në kampionatin amerikan të futbollit. Ai do të përfitonte një rrogë të ngjashme edhe në dy vitet në vazhdim, por zgjodhi të largohej drejt Kinës. Ermal Kuka shqip
















