Kuvendi nisi punimet e sesionit të ri aty ku la të vjetrin; me kryefjalë reformën në drejtësi për maxhorancën dhe akuzat e opozitës për korrupsion nga ana e qeverisë.
Pas fjalës përshëndetëse dhe njoftimit të kalendarit të punimeve nga ana e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, fjalën e mori kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka.
Paloka akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama se po shpenzon miliona lekë për mashtrime.
“Miliona të paguara për mashtrime dhe përgjigjia e qeverisë ishte se ‘paguam për të mashtruar të huajt’ dhe akuzuan opozitën si armike që demaskoi këtë fakt. 360 mln lekë të paguara nga taksat për t’i bërë elozhe liderit botëror”, tha Paloka.
Për opozitën, Edi Rama është i pabesueshëm kur flet për reformën në drejtësi dhe Paloka renditi arsyet se përse.
“Edi Rama nuk bind dot askënd se mund të bëhet kalorësi i luftës kundër korrupsionit. Do të kapë drejtësinë sepse do të mbrojë kriminelët dhe të korruptuarit. Për këto arsye nuk kërkon dhe as nuk pret konsensus”, u shpreh Paloka.
Partia Demokratike sheh si zgjidhje të vetme të kësaj situate qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
“Parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme do të realizojë këtë reformë dhe reforma të tjera. Ky është mesazhi i PD; të shkojmë një orë e më parë në zgjedhje dhe qeveri teknike”, u shpreh Paloka.















