Shani Tarashaj ka nënshkruar deri në vitin 2020 me klubin e njohur anglez
“Shani Tarashaj nuk do të vijë në kombëtare për sa kohë të jem unë në drejtimin e saj.” Këto janë fjalët e trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, për sulmuesin e talentuar 20-vjeçar, i cili “nuk shfaqi entuziazmin e duhur” në momentin që u kontaktua nga stafi i kuqezinjve. Por trajneri mund të detyrohet të bëjë prapakthehu në premtimin e tij dhe të rilidhë edhe një herë raportet me djaloshin, i cili aktualisht luan për përfaqësuesen U-21 të Zvicrës dhe nuk i ka mbyllur dyert përfundimisht për Shqipërinë. Që nga dita e djeshme, Tarashaj është bërë lojtari më i ri i skuadrës së Evertonit, e cila ka aq besim në aftësitë e tij, sa i ka ofruar atij një kontratë deri në qershorin e vitit 2020.
Tarashaj kreu të mërkurën vizitat mjekësore te klubi anglez, ndërsa dje firmosi kontratën e tij, duke zyrtarizuar transferimin nga Grasshoper për 4 milionë euro. Megjithatë, sulmuesi i talentuar do ta mbyllë vitin i dhënë huazim te Grasshoper, pasi i duhet të qëndrojë në Zvicër ku po kryen shërbimin e detyruar ushtarak. Vetëm në fund të sezonit ai do t’i bashkohet Evertonit, ku trajneri Roberto Martinez e sheh si një lojtar të perspektivës. “Shani është një talent i jashtëzakonshëm në futbollin zviceran dhe padyshim që do të ketë një të ardhme të shkëlqyer. Ne jemi të lumtur që kemi gjetur një lojtar të ri, i cili beson se klubi ynë është hapi i duhur për karrierën e tij. Ai përshtatet shumë mirë me stilin tonë dhe mënyrën se si ne dëshirojmë të luajmë futboll. Ai është një djalë familjar, i uritur për sukses dhe me dëshirën për të luftuar për një vend në radhët e skuadrës sonë të talentuar”, deklaroi Martinez.
Vetë sulmuesi pranoi se trajneri kishte luajtur një rol të rëndësishëm në afrimin e tij. “Trajneri Martinez beson shumë te lojtarët e rinj. Kam dëgjuar se ai është një trajner i mirë që punon individualisht me lojtarët. Kjo është ajo që unë dua, të më bëjë një lojtar më të mirë”, deklaroi Tarashaj pas firmës.















