Festën e ndërrimit të viteve, Ismail Morina, i njohur ndryshe si “Ballisti” do ta kalojë jashtë qelisë. Kjo “dhuratë” i është bërë atij nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë, ku u vendos zëvendësimi i masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Më shumë se dy muaj pas hekurave, “Ballisti” që akuzohej për armëmbajtje pa leje, la dje qelitë e paraburgimit të Fushë Krujës. Avokati i Morinës, Ardian Visha, ka këmbëngulur për lirimin e klientit të tij me arsyetimin se është një rast i veçantë “Sui Generis”, për drejtësinë shqiptare dhe se dy armët me të cilat u kap, ishin për vetëmbrojtje.
Nga ana tjetër, prokurori ka kërkuar sërish arrest me burg, pasi, sipas tij, është i pajustifikueshëm fakti që Ismail Morina mbante dy armë pa leje. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë, avokati paraqiti një kontratë qiraje, ku evidentohej se Ismail Morina, ka marrë një ambient me qira në Durrës, ku edhe do të qëndrojë gjatë masës “arrest shtëpie”. Kjo kontratë ka qenë një garanci më shumë për trupin gjykues për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj tij. Kjo, pasi familja e Ismail Morinës jeton në Itali. Ai është i martuar me një avokate italiane, me të cilën ka 2 fëmijë.
Arrestimi
Ismail Morina, u arrestua më 7 tetor 2015, një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi. Ai u kap në automjetin e vëllait të tij me dy armë, që, sipas tij, i kishte për vetëmbrojtje nga serbët. “Ballisti” u bë i njohur pas ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë etnike më 14 tetor 2014 në stadiumin e Beogradit. Ai u prangos, ndërsa ishte në shoqërinë e dy shtetasve të tjerë, ndërsa policia sekuestroi në automjetin “Land Rover” 2 pistoleta (një Zastava dhe një TT), 36 fishekë, një gëzhojë pistolete si dhe 30 bileta të grupimit të “Tifozëve kuq e zi”. Tre te rinjtë u lanë të lirë menjëherë pas ndalimit, pasi, sipas prokurorisë, ishin pjesëtarë të grupimit “Tifozët Kuq e Zi” dhe e kishin takuar Morinën, ndërsa ky i fundit ndodhej brenda makinës së tij të parkuar pranë zonës së Tregut Elektrik në Tiranë. Edhe pse Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për Morinën, përsëri, nëse ai shpallet fajtor, atëherë rrezikon nga 7 vjet deri në 15 vjet burg.
















