Grabitjet e fundit të parave të bankave gjatë shoqërimit nga roje private kanë vënë në alarm policinë, e cila ka arritur në konkluzionin se një pjesë e këtyre personave janë me precedentë kriminalë. Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit: Kemi vënë kritere për shoqërimin e vlerave monetare të bankave, por sërish grabitje kanë ndodhur.
Dy grabitjet e këtij viti, njëra në shkurt e tjetra në fillim të këtij muaji, kanë vënë në alarm policinë dhe ekspertët e sigurisë, të cilët thonë se edhe pse janë vendosur kritere të forta në shoqërimin e vlerave monetare, sërish kanë ndodhur grabitje.
Në shkurt të këtij viti, persona të armatosur arritën të grabisnin një shumë të konsiderueshme parash në një bankë në zonën e Trenit në momentin që paratë po transportoheshin nga banka në makinat që do i shoqëronin.
Vetëm pak ditë më parë, persona po të paidentifikuar grabitën 3.8 milion euro në Qafë-Kashar, duke ndaluar automjetin që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë. Këto grabitje, sipas zyrtarëve të policisë ndodhin për shkak të neglizhencës së rojeve private, por edhe për shkak të mosangazhimit të policisë.
Por një fakt i konfirmuar zyrtarisht ka të bëjë me praninë e personave me precedentë penalë në radhët e rojave të sigurisë së bankave.
Një nga punonjësit e policisë private në bankën e nivelit të dytë tek Stacioni i Trenit, ku në 13 shkurt të këtij viti u grabitën mbi 1 milion euro, ka qenë me precedent penal.
Këtë fakt e bëri të ditur drejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka, i cili tha se duhet forcuar kontrolli ndaj këtyre punonjësve, dhe në rastet kur ka dyshime për pritje kriminale, t’i refuzohet certifikimi si policë privat të sigurisë.
Gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues të kompanive private të sigurisë fizike, Loka hodhi dyshime se edhe në grabitjen e 3.8 milionë euro të një banke, të cilat po transportoheshin nga rojat e sigurisë, faji është i punonjësve të sigurisë.
Sipas Lokës, besueshmëria e sigurisë dhe vlerave monetare nuk duhet lënë në duart e njerëzve me prirje kriminale.
“Kemi mbajtur qëndrim ndaj punonjësve të policisë, kryesisht specialistëve të krimeve, të cilët vonojnë vërtetimet e besueshmërisë. Absolutisht u kemi dhënë me dhjetëra masa specialistëve të krimeve por dhe specialistëve tanë që i ndjekin vetëm për këtë fakt”, – tha drejtori i Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit.
Sipas tij, jo në të gjitha rastet është faji i policisë, pasi në rastin e grabitjes së bankës te Stacioni i Trenit, një nga rojet private ka qenë me precedent penal.
“Kemi pasur rastin e grabitjes që u bë tek Stacioni i Trenit. Një ndër punonjësit e policisë që kishte kompania e sigurimit, figuronte me probleme”, – tha Loka.
Po ashtu, Loka përmendi edhe rastin e grabitjes në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, kur pak javë më parë një furgon i blinduar që transportonte 3.8 milionë euro të një banke të nivelit të dytë u sulmua dhe u grabit nga persona të armatosur.
Edhe pse personeli ishte i plotë, paratë u grabitën, ndaj kjo sipas tij lë vend për të dyshuar te punonjësit e përzgjedhur.
“Kemi vënë kriter 5 veta për shoqërimin e vlerave monetare, 5 veta kishte, përsëri u vodhën lekët para disa ditësh në Qafë-Kashar në mes të ditës, në rrugën nacionale, aty ku çdo 30 sekonda kalon një automjet, mos të them më shpejt”, – tha Loka.
Sipas Lokës, integriteti i këtyre punonjësve duhet të jetë i lartë që ata të ofrojnë besim te publiku.
Arjan Dyrimishi, ekspert i çështjeve të Sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, thotë se veç integritetit dhe besueshmërisë së tyre, kjo kategori duhet vlerësuar edhe financiarisht nga kompanitë që marrin përsipër shërbime të tilla.
Pak muaj më parë ka hyrë në fuqi edhe ligji i ri shoqërive private të sigurisë fizike, i cili përcakton edhe mënyrat e funksionimit dhe të penalizimit të këtyre kompanive, kur ata kanë probleme ligjore, apo shkelje të rregullave të sigurisë së tyre gjatë kryerjes së shërbimit.















