Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla mund ta përfundojë mandatin e tij. Kështu sugjerojnë ekspertët e Komisionit të Venecias, ndryshe nga sa parashikohet në draft-amendamentet e propozuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë lidhur me reformën në sistemin shqiptar të drejtësisë. Pavarësisht ristrukturimit të plotë të organit të akuzës ekspertët thonë se “zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është aspak një çështje e domosdoshmërisë dhe ruajtja e vendit të Prokurorit të Përgjithshëm deri në skadimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme”, në vitin 2017. Këto rekomandime janë përcjellë nëpërmjet një raporti me 30 faqe ku ekspertët e Komisionit të Venecias kanë paraqitur një analizë të plotë mbi çdo propozim të ekspertëve shqiptarë.
Ndërkohë nuk mungojnë as sugjerimet për të rishqyrtuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që kanë të bëjnë me rolin e ministrit të Drejtësisë, kujdesit që pjesëmarrja e tij në disa struktura mos krijojë konflikt interesi, mospërfshirjen e Prokurorit të Përgjithshëm në strukturën e re që do të ngrihet, atë të Tribunalit Disiplinor si edhe për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky dokument është vetëm një opinion paraprak pasi, pas diskutimeve që do të zgjasin disa muaj, Venecia pritet të dalë në muajin mars me një version përfundimtar rekomandimesh për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që do të venë në zbatim atë që konsiderohet njëzëri nga ndërkombëtaret si kryereforma e Shqipërisë.
Rekomandimet
Në një material prej 30 faqesh, mbi bazën edhe të komenteve të ekspertëve Sergio Bartole, Hanna Suchocka, James Hamilton dhe Konstantin Vardzelashvili, Komisioni i Venecias ka analizuar në mënyrë të detajuar propozimet e ekspertëve shqiptarë lidhur me reformën në drejtësi. Por në këtë material theksohen disa çështje që, sipas ekspertëve të Venecias, duhet të jenë në vëmendje për t’u diskutuar më gjerësisht. “Roli i ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të rikonsiderohet për të shmangur konfliktin e interesit”, thuhet në rekomandimet e Venecias. Ndërkohë që më shumë vëmendje kërkohet edhe për përcaktimin e parimeve përzgjedhëse për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Kushtetuta duhet të përcaktojë parimet e përgjithshme të zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, bazuar mbi sistemin e meritës, karrierës, transparencës dhe paanshmërisë. Kushtetuta duhet të sqarojë lidhjen mes prokurorëve të Strukturës Speciale Antikorrupsion dhe Prokurorit te Përgjithshëm”, thuhet në dokument. Në lidhje me rolin e kreut të organit të akuzës, ekspertët e Venecias rekomandojnë që atij të mos i ndërpritet mandati 5-vjeçar i marrë nga Kuvendi më 7 dhjetor 2012, por edhe të mos jetë pjesë e Tribunalit Disiplinor po ashtu si ministri i Drejtësisë. Bëhet fjalë për një strukture të re që rekomandohet të ngrihet për të shqyrtuar rastet e shkeljeve disiplinore dhe vendos masa disiplinore për anëtarët e strukturave më të larta të drejtësisë. Ndërsa përcaktohet që pjesë e kësaj strukture të jetë: kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i Gjykatës së Lartë Administrative, Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Drejtësisë, kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, anëtari më i vjetër i Gjykatës Kushtetuese, anëtari më i vjetër i Gjykatës së Lartë dhe anëtari më i vjetër i Gjykatës së Lartë Administrative.
Por Komisioni i Venecias mendon se “prezenca e ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm në këtë trupë është problematike, në qoftë se ajo është projektuar të jetë si një lloj “gjykatësi” që mbikëqyr organet jo-gjyqësore. Përveç kësaj, prania e tre anëtarëve të vjetër të gjykatave nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë. Anëtari më i vjetër mund të jetë i emëruari më i fundit dhe jo domosdoshmërisht është ai më me përvojë. Një alternativë më të mirë në qoftë se përvoja e gjatë mendohet të jetë përparësi, do të ishte të emërohej anëtari me eksperiencën më të gjatë për çdo rast”. Komisioni i Venecias kërkon gjithashtu që të qartësohet në Kushtetutë se kush vendos mbi masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas këtyre opinioneve paraprake, Ekspertët e “Venecias” do të vijnë në janar në Shqipëri për të diskutuar sërish me ekspertët e të dyja palëve.
Institucionet e reja, “Venecia” sugjeron reduktimin
Komisioni i Venecias ka shprehur rezerva lidhur me krijimin e një sërë institucionesh të reja, që parashikohen në draftin e ekspertëve shqiptarë e të huaj. “Venecia”, rekomandon uljen e numrit të këtyre institucioneve dhe tërheq vëmendjen për rrezikun e një klime mosbesimi që mund të krijojnë. “Këto organe të reja parashikohen të kontrollojnë njëra-tjetrën. Por kjo skemë e komplikuar institucionale mund të ketë një pasojë të paqëllimshme: të krijojë një klimë mosbesimi, e cila rrezikon të ndikojë në vlerësimin publik të gjyqësorit, që është mjaft i ulët.
Përveç kësaj, krijimi i një numri të madh organesh të reja mund ta ekspozojë vendin përpara nevojës për të rekrutuar në masë profesionistë ligjorë, ndërsa juristët e nevojshëm për këtë reformë me arsim dhe përvojën e duhur, nuk janë të mjaftueshëm në një vend të vogël si Shqipëria. Komisioni evidenton një problem me mandatet e organeve ekzistuese dhe atyre të reja që do të ngrihen”, – thuhet në opinionin paraprak të Komisionit të Venecias.
Prokuroria dhe Struktura Speciale Antikorrupsion
Komisioni i Venecias i kushton një vëmendje të veçantë mënyrës se si do të funksionojë prokuroria, Këshilli i Lartë i Prokurorëve, por dhe prokurorët e antikorrupsionit. Ndërsa merren në analizë ndryshimet e propozuara, sugjeron që të rishikohet ideja e mbarimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Dokumenti
Sipas draftit të ri, Prokuroria propozohet që të jetë një organ “i pavarur” dhe të funksionojë mbi bazën e parimit të decentralizimit. Duket se çfarë nënkuptohet me këtë është kryesisht pavarësia e brendshme, domethënë kjo nuk do të jetë një vartësi hierarkike midis prokurorëve më të lartë dhe më të ulët, në lidhje me sjelljen e rasteve të veçanta. Ky interpretim mbështetet në nenin 149 të draftit ku përcaktohen kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm. Megjithatë, “pavarësia”, mund të nënkuptohet edhe si pavarësi nga ekzekutivi (pavarësia e jashtme). Komisioni vëren se Kushtetuta duhet të përcaktojë më qartë se për cilën lloj pavarësie bëhet fjalë. Nëse modeli i pavarësisë së brendshme do të miratohet, do të jetë e nevojshme të sigurohet në ligjet organike një shkallë e lartë e transparencës se si vendimet e prokurorëve mund të vlerësohen objektivisht, dhe, nëse është e nevojshme, të apelohen.
Neni 50 që ndryshon nenit 148 të Kushtetutës përcakton kriteret për kandidatët që zgjidhen në pozitën e prokurorit. Përcaktohet se ata duhet të jenë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe duhet të kenë kaluar në vlerësimin dhe kontrollin e pasurive të tyre dhe prejardhjes e tyre. Ndërsa propozimet dhe teza e përgjithshme janë të mirëpritur, ata mund të kenë nevojë për disa sqarime të mëtejshme. Në bazë të draftit të propozuar shanset janë që Prokurori i Përgjithshëm nuk do të përfundojë mandatin e tij pasi ai ka për të lënë zyrën sapo Prokurori i ri Përgjithshëm të zgjidhet, sipas rregullave të reja. Prokurori i Përgjithshëm nuk është i mbrojtur në të njëjtën mënyrë si gjyqtarët dhe zëvendësimi i tij ndoshta mund të arsyetohet me riorganizimin e sistemit të emërimeve dhe modifikimin e rolit të Prokurorit të Përgjithshëm (përkatësisht “decentralizim” të gjithë sistemit). Megjithatë zëvendësimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është aspak një çështje e domosdoshmërisë dhe ruajtja e vendit të Prokurorit të Përgjithshëm deri në skadimin e mandatit të tij do të ishte e pranueshme.
Konkluzionet e projektit paraprak të “Venecias”
– Komisioni i Venecias shpreh mbështetjen e tij për përpjekjet e autoriteteve shqiptare që synojnë reformimin e plotë të sistemit gjyqësor shqiptar. Reforma duhet urgjentisht dhe situata kritike në këtë fushë justifikon zgjidhje radikale. Draft-amendamentet paraqesin një bazë solide për punë të mëtejshme në këtë drejtim, kjo nënkupton se propozimet e përfshira në projekt-amendamentet duhet të thjeshtësohen dhe të qartësohen elementët që duhet të rregullohen me ligj organike apo ligje të zakonshme. – Ndër rekomandimet më të rëndësishme të cilat Komisioni i Venecias mund t’i bëjë pjesë të teksti të draftamendimeve janë si më poshtë:
• Të gjithë marrëveshjet institucionale duhet të rishqyrtohen dhe të thjeshtësohen (për shembull, duke hequr dorë nga ideja e krijimit të një Inspektorati veçantë); amendamentet kushtetuese (sidomos në procesin e verifikimit) duhet të vendosen vetëm parimet më të rëndësishme duke lënë detajet në legjislacioni zbatues.
• Rekomandohet të sqarohet kush duhet të vendosë për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë fuqi detyruese të përgjithshme dhe Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë pushtetin për të shqyrtuar të paktën procedurën e ndryshimeve kushtetuese.
• Roli i Ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të rishqyrtohet, me qëllim për të shmangur konfliktet e mundshme të interesave. Në përgjithësi, marrëveshjet institucionale duhet të rishikohet në mënyrë në mënyrë që të hiqen konfliktet e mundshme të interesave. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të ulen në Tribunalin Disiplinor.
• Kushtetuta duhet të përcaktojë parimet e përgjithshme që përcaktojnë procesin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (përzgjedhje bazuar në meritë, thirrje e hapur për kandidatët, procedurë transparente përzgjedhjeje, numër të madh kandidatësh, etj). Referenca e propozuar në Kushtetutë për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve kërkon sqarime të mëtejshme.
• Kushtetuta duhet të qartësojë marrëdhëniet mes prokurorëve të strukturës së veçantë Anti-korrupsionit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. • Duhet të vendoset një mekanizëm anti-bllokimi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të ulet në Tribunalin Disiplinor.
• Përbërja e Komisioneve të Pavarura të Kualifikimit dhe statusi i anëtarëve të tyre duhet të garantojë pavarësinë dhe paanshmërinë e vërtetë të tyre. Gjyqtarët / prokurorët që i nënshtrohen verifikimit duhet të kenë garanci për një gjykim themelor dhe të drejtë dhe duhet të ketë të drejtën e ankesës në një organ të pavarur.
Komisioni i Venecias kupton se puna për tekstin e draft-amendamenteve vazhdon dhe se një paketë për legjislacionin zbatues do të jetë e përgatitur në të ardhmen e afërt. Komisioni shpreh gatishmërinë e tij për të ndihmuar organet legjislative shqiptare në këtë proces.
















