Familja Xhaka do ta presë Evropianin e Francës me ndjenja të përziera. Kjo familje do t’ia falë këtij evenimenti dy djem, Taulantin dhe Granitin. Ata do të hyjnë në histori, pasi do të luajnë kundër njëri-tjetrit, njëri me Shqipërinë e tjetri me Zvicrën
Shorti i Evropianit, i hedhur të shtunën, ishte më i veçanti dhe më emocionuesi për familjen Xhaka. Taulanti dhe Graniti, vëllezër, do të luajnë kundër njëri tjetrit në evenimentin që do të mbahet vitin tjetër në Francë. I pari e përfaqëson Shqipërinë, e i dyti Zvicrën, shkruan sot Gazeta Zëri.
Ata do ta shkruajnë historinë e Kampionatit Evropian, pasi më parë nuk kishte ndodhur që dy vëllezër të luanin, si kundërshtarë, në këtë kompeticion prestigjioz. E historia e familjes Xhaka është e veçantë. Me të, lirisht mund të bëhet një film. Babai i tyre, Ragipi, kishte sakrifikuar dhe ishte munduar shumë, për të arritur deri këtu.

Ai ishte një i burgosur politik dhe kishte qëndruar prapa grilave për tri vjet e gjysmë, në kohën e okupatorit serb. Me t’u liruar, e kishte marrë rrugën drejt kurbetit, për një jetë më të mirë. Dhe, Zvicra ia hapi dyert kësaj familjeje, prej nga dolën shumë lojtarë të mëdhenj shqiptarë, përfshirë këtu edhe dy vëllezërit Xhaka.
E Ragipi i është mirënjohës shtetit helvetik, të cilin vazhdimisht e falënderon për të gjitha ato që ia ka dhënë. Në këmbim, ai ia dha Zvicrës njërin djalë, Granitin. Edhe pse e përfaqëson këtë shtet, futbollisti i Borussia Monchengladbachut nuk e fsheh asnjëherë faktin se është shqiptar.
Zëri shkruan se ai vjen shpesh në Prishtinë. I ka festuar golat shpesh duke e formuar shqiponjën me duar, ndërsa në përballjen në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë, e kishte një rast të qind për qindtë, por nuk mundi t’i shënonte vendit të Shqiponjave.
Gjithashtu, e postoi një fotografi në rrjetet sociale, me lot në sy, kur ekipi i Gianni De Biasit e siguroi kualifikimin në Evropian.
Çka të themi për Taulantin, i cili konsiderohet si një hero kombëtar, pasi e mbrojti me nder flamurin midis Beogradit, duke e rrezikuar edhe jetën e tij. Mesfushori shkatërrues i Baselit është bërë lojtar kyç i Kombëtares, të cilën e preferoi përpara Zvicrës, me të cilën kishte luajtur për grupmoshat e reja. Gjithsesi, në fushë, ata nuk do ta njohin njëri tjetrin dhe do ta japin maksimumin për ekipet përkatëse.
Por, për kë do të bëjë tifo Ragipi, Xhaka senior. “Do të jem neutral”, ka thënë ai. Sidoqoftë, shqiptarët mund të mburren që do të përfaqësohen në Evropian me një numër të madh futbollistësh, më shumë se çdo komb tjetër. E ajka do të jetë kur të përballen dy vëllezërit Xhaka. Ata do ta shkruajnë historinë, më 11 qershor.
Fakt
Përballja në mes të vëllezërve Xhaka, Taulantit dhe Granitit, do të jetë historike. Nuk ka ndodhur asnjëherë që dy vëllezër të jenë kundërshtar në Evropian.Shkrim nga Moral Pozhegu /Zëri
















