Buxheti i vitit 2016 ka parashikuar 642 milionë lekë për kulturën, ku pritet të financohen disa projekte që Ministria e Kulturës i sheh parësore. Kryefjalë ishte dixhitalizimi i pasurive kombëtare, si dhe investimet në muze e teatro
Buxheti i vitit 2016 ka parashikuar 642 milionë lekë për kulturën, ku pritet të financohen disa projekte që Ministria e Kulturës i sheh parësore, si Qendra Kombëtare Kulturore “Skena e Re”, rikonstruksioni i Teatrit “Andon Zako Çajupi”, rikonstruksioni i Teatrit “Migjeni” Shkodër, “Muzeu i Gjethit”, ndërhyrje rehabilituese në çatinë e Kinostudios “Shqipëria e Re”, sistemim i Qendrës Kombëtare të Fëmijëve brenda godinës ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, bashkëfinancim me IPA-n i projektit “Apollonia”.
Këto janë bërë të ditura nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ishte dje e pranishme në Komisionin e Medias, ku u diskutua mbi projektbuxhetin e vitit 2016.
Të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, dhe ai i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.
Ministrja Kumbaro iu përgjigj komisionit mbi projektet dhe investimet për vitin e ardhshëm, si dhe parashtroi një raport mbi të ardhurat, ecurinë, por edhe pritshmëritë.
Kumbaro ka argumentuar dyfishimin e të ardhurave nga biletat e institucioneve të kulturës si teatro apo site, implementimin e programeve si “Edukimi përmes kulturës”, rrjeti “Miku i Monumentit”, si suksese të vitit 2015.
Gjatë këtij viti janë regjistruar 18 mijë objekte, ndërsa ministrja Kumbaro prezantoi edhe një tabelë të detajuar të 1892 monumenteve të kulturës.
Kryefjalë ishin investimi mbi dixhitalizimin e pasurive kombëtare, implementimi i një konteksti të ri ligjor të infrastrukturës, marrëdhëniet dhe marrëveshjet e reja Gjermani-Shqipëri, dhe me Torinon, Francën dhe Kinën në vitin 2016, investimet që duhen bërë në trashëgimi-restaurime dhe mirëmbajtje- dhe kulturë, si në site, apo objekte, si muze ose teatro.
Në kuadër të bashkëpunimeve kulturore Shqipëri- Gjermani, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro pritet të vizitojë Berlinin nga 26 deri më 28 tetor, ku do të takohet me
kryetarin e Komisionit për Kulturën ne Bundestag, Siegmund Ehrmann dhe me Sekretarin e Shtetit, Stephan Steinlein.
Ministrja Kumbaro do të marrë pjesë në festimet e “Nëntori Shqiptar” në Dyseldorf, ku pritet të takojë zëvendësministrin e Landit, Berd Neuendorf dhe përfaqësues të Zyrës së Kulturës.
Në kuadër të projektit “Nëntori Shqiptar” do të ketë edhe një koncert gala në Dyseldorf, ku do të marrin pjesë artistë shqiptarë, si Eda Zari, Ervis Gega, Dren Abazi & ZigZag Orchestra dhe balerinë të TKOB.


















