Një ditë para votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Rusia kishte organizuar nënshkrimin e një apeli nga vetë Rusia, por edhe India, Kina, Brazili dhe Afrika e Jugut kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Në këtë letër të shpërndarë në UNESCO të dielën, shtetet e grupit BRICS (Brazil, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) e quajtën Kosovën “i ashtuquajturi shtet” dhe kundërshtuan anëtarësimin në baza të Rezolutës 1244, duke thënë se vetëm UNMIK ka të drejtë menaxhimi dhe vendimi ekzekutiv për UNESCO, transmeton Republika.info.
Letra ishte tentativë e suksesshme për ndihmë Serbisë pasi që argumenti bazohet në interpretimin serb të Rezolutës 1244.
Nën-Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Anthony Blinken, kishte deklaruar se anëtarësimi i Kosovës nuk është në kundërshti me asnjë rezolutë të OKB-së dhe se Kosova tashmë është bërë anëtare e disa organizatave.
Prandaj ky reagim i përbashkët i disa shteteve me rëndësi është në funksion të lobimit përfundimtar në një luftë që tashmë ka marrë premisa të Lindjes kundër Perëndimit.
Kosova sot nuk arriti për tri vota të anëtarësohet në UNESCO dhe duket se pikërisht lobimi i BRICS-it bëri që disa shtete edhe që e kanë njohur Kosovën të abstenojnë ose të kundërshtojnë anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë të OKB-së.
















