Vijnë premierë Ornela Vorpsi dhe Ilir Ferra
Në tri ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Tirana përfshihet në lexime publike të autorëve evropianë. Për herë të parë dhe shkrimtarë që nuk shkruajnë në gjuhën shqipe, Ornela Vorpsi e Ilir Ferra.
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, “Deti i Bardhë”, në edicionin e dytë, sjell me lexime publike 21 autorë.
Festivali hapet të enjten në mbrëmje në Teatrin Kombëtar ku nën drejtimin e Luljeta Lleshanakut autorët ftohen të japin përvojën e tyre letrare dhe të jetës në tranzit. Siç ndodh me autorë shqiptarë që shkruajnë gjuhët e vendeve ku kanë emigruar.
Letërsia shqipe përfaqësohet edhe në një nivel tjetër, me një fenomen që është përtërirë tashmë, poezia në gegnisht. Vargjet e Primo Shllakut, Ledia Dushit, Arben Prendit, Manjola Brahajt, tingëllojnë krejt ndryshe nga goja e tyre. Aktivitet paralel i festivalit është “Tirana lexon”.
Janë shtatë kafene librari të shtrira në gjithë Tiranën.
Për herë të parë në ditët e festivalit vjen një autor si Lukas Barfuss. “Neurozat seksuale të prindërve tanë” është një zbulim për dramën po edhe për kinemanë e vendeve gjermanike. Teksti i Barfuss-it inskenohet nga Teatri Kombëtar. Sepse Deti i Bardhë synon këtë komunikim të drejtpërdrejtë me atë që shkruhet sot në Evropë dhe më ngushtë në rajonin afër nesh.