Shkollat fillore dhe të mesme që mësojnë në gjuhën shqipe në Preshevë, kanë vendosur që nesër të bojkotojnë orën e parë të mësimit, pasi arsimi në gjuhën amtare nuk po respektohet ashtu siç është i garantuar me ligjet dhe kushtetutën në fuqi.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e mbajtur mes Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës, shkruan Kosovapress.
Në një komunikatë për media të dalë nga kjo mbledhje thuhet se në shkollat që mësojnë gjuhën shqipe ende nuk ka arritur donacioni prej 103,222 tekste mësimore nga Republika e Kosovës. Ato tekste sipas komunikatës kanë mbetur të bllokuara që nga 10.09.2015 në doganë në Preshevë.
“Deri tani Këshilli Kombëtar Shqiptar i është drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe përfaqësive ndërkombëtare, për zgjidhjen e kësaj çështje të ndjeshme dhe komplekse. Por nuk ka pas gatishmëri institucionale dhe vullnet politikë që në mënyrë serioze të zgjidhet mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe e aq më pak për lirimin e teksteve nga dogana”, thuhet më tutje në komunikatë.















