Ministria e Jashtme e Shqipërisë e quan reagim joproporcional atë të Serbisë, lidhur me ambasadorin shqiptar në Beograd, Ilir Boçka.
Zëdhënësi i MPJ-së, Glevin Dervishi ka thënë se reagimet e tilla shkojnë përtej rregullave të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, raporton tch.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet e autoriteteve serbe, që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të autoriteteve shqiptare për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika. Komunikimi i papërshtatshëm nga Ministria e Punëve të Jashtme serbe me përfaqësuesin e Republikës së Shqipërisë në Serbi, është një reagim jo-propocional. Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara”, është shprehur Dervishi.
















