Pak pasi kishte deklaruar se nuk do ketë ndryshime në qeveri, pasi ato janë shpikje të medias, kryeministri Edi Rama mbërriti sërish të mërkurën në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Ky është takimi i dytë brenda pak ditësh, ndërkohë që Meta ka kërkuar ndryshime në qeveri, duke theksuar se vendit i duhen impulse të reja.
Rama u takua me Metën edhe para disa ditësh, menjëherë sapo ka mbërritur nga Nju Jorku.
Situata politike në vend, pakënaqësitë e lindura brenda koalicionit qeveritar me zhvillime të shumta për çështjen e CEZ, që kulmoi në Parlament me rrëzimin e një kërkese të opozitës për hetim ndërkombëtar, besohet se ka qenë në qendër të bashkëbisedimit të dy aleatëve.
As Kuvendi dhe as qeveria nuk dhanë detaje për takimin, por u tha vetëm se ai zgjati 90 minuta dhe ishte i qetë.















