Trajneri i kombëtares Gianni De Biasi ka bërë publik formacionin prej 26 lojtarësh që do të luajnë në ndeshjet me Serbinë dhe Armeninë. Në daljen për mediat ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e Lorik Canës në ndeshjen ndaj Serbisë ditën e enjte, i cili mbeti i dëmtuar disa ditë më parë në fushë.
“Cana ka pasur probleme periudhën e fundit, më siguruan që po rikuperohet. Kemi lojtarë të rëndësishëm që mund t’i besojmë. Kam folur qartë me të, e di kush është detyra e tij dhe e të tjerëve. Shpresoj që të bëjmë një ndeshje inteligjente, që mund të nxjerrim atë që kemi nxjerrë në shumë ndeshje të tjera në këtë kualifikim”, u shpreh De Biasi. Trajneri tha se qëllimi i Kombëtares është arritja e një rezultati sa më pozitiv me Serbinë, duke kërkuar që lojtarët të mos përfshihen nga emocionet.
“Duhet të arrijmë objektiva për fitore. Kjo është një ndeshje që duhet të luajmë më shumë kujdes dhe me shumë inteligjencë. Skuadra kundërshtare ka nivel të lartë teknik. Djemtë nuk duhet të përfshihen nga emocionet”, u shpreh De Biasi.
Në lidhje me tensionet e mundshme, që mund të përfshijë tifozët, trajneri tha se ai nuk është edukator, por kujdeset vetëm për lojtarët e tij në fushë, për të marrë rezultatin e kërkuar. “Rezultati është kryesor dhe nuk duhet të përfshihemi në situata të tjera. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë, pa u përfshirë nga emocionet. Fokusin e kemi në lojën e së enjtes, duhet të kemi idenë e qartë dhe këtë javë duhet të shfrytëzojmë kohën e shkurtër që kemi për tu përgatitur në këtë ndeshje. E kaluara dhe gjithçka tjetër nuk ekziston fare. Nuk jam edukator i tifozëve, por trajner i Kombëtares. I rëndësishëm është rezultati”, tha ai.
















