“Ne jemi shumë krenarë, pasi krijuam një volum të madh loje, por duhet të kishim edhe pak fat. Personalisht mendoj që ekipi do të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje”-tha kroati Marko Radas, i cili i tregoi gjyqtarit izraelit se tifozeria thërriste “Vritini shqiptarët”!
Marko Radas, pavarësisht se vitet kalojnë dhe tashmë është 32 vjeç, mbetet i njëjti. Edhe dje ishte një nga më të mirët në fushë për Skënderbeun në ndeshjen ndaj Lokomotivës së Moskës.
![]()
“Luajtëm mjaft mirë në këtë ndeshje, pavarësisht mungesës së eksperiencës, pasi Skënderbeu është ekipi i parë shqiptar që luan në një kompeticion europian.
Ne jemi shumë krenarë, pasi krijuam një volum të madh loje, por duhet të kishim edhe pak fat. Personalisht mendoj që ekipi do të përmirësohet nga ndeshja në ndeshje.
Më vjen shumë keq për racizmin e treguar nga një pjesë e tifozërisë, pasi këtu gjithçka po shkonte mirë. Ato thirrje nuk kanë lidhje me futbollin dhe shpresoj që për këtë të bëhet diçka”, – shprehet Radas.

Sa i takon ndeshjes, mbrojtësi kroat shtoi: “Ne e nisëm ndeshjen mjaft mirë, duke qenë të kujdesshëm në mbrojtje dhe duke dalë mirë në sulm, por goli i Lokomotivës na rrëzoi pak moralisht.
E filluam edhe pjesën e dytë njësoj si e para, duke qenë ekipi që po dominonte lojën, por sërish ndodhi një kundërsulm dhe u ndëshkuam njësoj si në pjesën e parë.
Sigurisht që, duke parë ndeshjen, meritonim diçka më shumë. Në ekip kemi disa lojtarë të rinj në moshë shumë të mirë dhe me kualitete, por mungesa e eksperiencës, siç e përmenda më sipër, na ndëshkoi.”
Së fundmi, Marko Radas ndalet tek e ardhmja. Pyetjes së gazetarit rus në lidhje me vazhdimësinë, kroati i përgjigjet:
“Mua, së pari, mu bë qejfi që lojtarët e rinj të talentuar që kemi në organikë, patën mundësinë të luajnë në një stadium të tillë, me këto kushte të shkëlqyera. Ky është vetëm fillimi.
Treguam që jemi rritur në lojë, shfaqëm cilësitë tona më të mira, ndaj besoj që edhe pikët do të vijnë në ndeshjet e ardhshme.”















